Rumania thotë se një dron rus ka shkelur hapësirën e saj ajrore – vendi i dytë i NATO-s që raporton një ndërhyrje të tillë.
Avionët luftarakë rumunë ishin në ajër duke monitoruar një sulm rus në Ukrainë të shtunën dhe ishin në gjendje të gjurmonin dronin pranë kufirit jugor të Ukrainës, tha ministria e mbrojtjes në një deklaratë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se ndërhyrje nuk mund të ishte një gabim – ishte “një zgjerim i dukshëm i luftës nga Rusia”
Por Moska nuk ka komentuar mbi pretendimet rumune.
Të mërkurën, Polonia tha se kishte rrëzuar të paktën tre dronë rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore.
Në deklaratën e saj, ministria e mbrojtjes e Rumanisë bëri të ditur se zbuloi dronin rus kur dy avionë F-16 po monitoronin kufirin e vendit të tyre me Ukrainën, pas “sulmeve ajrore ruse mbi infrastrukturën ukrainase në Danub”.
Droni u zbulua 20 km (12.4 milje) në jugperëndim të fshatit Chilia Veche, përpara se të zhdukej nga radari.
Por ai nuk fluturoi mbi zona të populluara dhe as nuk paraqiste rrezik të menjëhershëm, tha ministria.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e quajti incidentin “një tjetër shkelje të papranueshme të sovranitetit të një shteti anëtar të BE-së”.
Kujtojmë se Rusia nisi një pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022 dhe ka bërë përparim të ngadaltë në fushën e betejës.
Dhe presidenti amerikan, Donald Trump ka udhëhequr përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, por Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës që kur presidenti Vladimir Putin u kthye nga një samit me Trump në Alaska muajin e kaluar. /Telegrafi/