Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se deri në fund të vitit parashikohet që vendit të ketë rritje ekonomike jo më e vogël se 7 përqind.
Tutje, ai tha se nëse synohet të arrihet kjo rritje ekonomike duhet të ketë një dinamikë të implementimit të investimeve kapitale.
“Ne nëse duam të mbajmë një momentum të rritjes ekonomike atëherë duhet të shihet që të ketë një dinamikë të implementimit të investimeve kapitale për arsye të ndryshme qoftë ato që lidhen me zgjedhjet e shpeshta, ndryshimit të qeverive dhe pandemisë”.
“Duhet të shikohet mundësi e investimeve edhe në zona ekonomike dhe poashtu të shikohet mundësi të përkrahen edhe eksportet dhe mund të shumëfishohet edhe vlera e eksportuesve. Kemi projeksione të Fondit Monetar Ndërkombëtar 7%, Bankës Botërore 7.5%, të Qeverisë e cila pret rreth një vlere dyshifrore të rritjes ekonomike”.
“Në fund do ta kemi një shifër të rritjes ekonomike që do të jetë një shkallë e rritjes ekonomike e reflekton rikthimin pa pandemisë dhe poashtu një ndryshim të dukshëm sa i përket rritjes së eksportit. Projeksionet janë për një rritje ekonomike jo më e vogël se 7%. Ne nuk mund të presim të kemi të njëjtën shkallë të vizitave të diasporës dhe nuk mund të presim të kemi të njëjtin raport me shtimin e konsumit. Ky vit mund të shënohet i suksesshëm sa i përket rritjes ekonomike”.
Ndërsa, kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahin, këtë vit ka një rritje ekonomike që konsiderohet të jetë mbi 8% .
“Rritja ekonomike në Kosovë nuk mund të jetë reale për shkak se kemi pasur rritjes minus vitin e kaluar. Këtë vit kemi një rritje plus e cila konsiderohet që do të jetë mbi 8% dhe do të jetë pozitive për vendin”.
Sipas tij, Qeveria duhet të ketë një strategji për ta luftuar varfërinë e që të ketë investime të reja.
“I rekomandojmë Qeverisë së vendit që të mbledh rreth vetit ekspertët për të rekomanduar se çka duhet të bëjnë. Në këtë rast duhet një strategji për ta luftuar varfërinë e cila po kanoset dhe duhet të bëhet strategjia për thithjen e investimeve kurse për ulje të çmimeve janë të pafuqishëm qoftë Qeveria apo bizneset e Kosovës. Tash kur jemi në sezonin e dimrit kur edhe rritet niveli i konsumit të energjisë elektrike mund të kemi probleme”.
Shahini ka theksuar se janë duke monitoruar rritjen e çmimeve duke shtuar se kjo po ndodh në gjithë botën dhe se Kosova është e pafuqishme ta ndal këtë trend, raporton EO.
“Aleanca Kosovare e Bizneseve është duke ndjekur për së afërmi trendin e rritjes së çmimeve në tregun e Kosovës. Kemi ardhur në përfundim se çmimet nuk janë rezultat i rritjes së çmimeve nga tregtarët e vendit dhe biznesit por rezultat i rritjes së çmimeve në tregjet globale e që ne 90% jemi importues që varemi nga tregjet e huaja dhe bashkë me rritjen e çmimeve këto produkte që jemi duke i importuar importojmë edhe inflacion”.