Mbrojtësi i Real Madrid, Antonio Rüdiger, foli në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së kthimit të Champions League që “los blancos” do të luajnë sot kundër Manchester City në stadiumin Etihad.
“Kam luajtur shumë ndeshje të ngjashme. Fitova Champions me Madridin dhe punon gjithë sezonin për momente të tilla. Jemi përballur shpesh me City vitet e fundit, një nga ekipet më të mira në Evropë. Nëse do të fitosh Ligën e Kampionëve, duhet të luash kundër ekipeve si City”, tha Rudiger.
“Kam pasur disa probleme të vogla, por kjo tani ka mbaruar. Kam luajtur mirë në ndeshjet e fundit dhe ndihem në formën time më të mirë. Kam punuar shumë për të arritur në këtë pikë të sezonit në formë të mirë, për të ndihmuar ekipin dhe për t’u bërë i dobishëm“, tha mbrojtësi gjerman.
Duke folur për Haaland, ai shtoi: “Nuk i jap shumë rëndësi statistikave. Ai më mundi në fazën e grupeve, por përballja me lojtarë të atij kalibri është një motivim. Më pëlqejnë këto sfida fizike. Huijsen gjithashtu bëri një punë të shkëlqyer; nuk jam vetëm unë në mbrojtje. Mezi pres të luaj këtë ndeshje.”
“Shpresoj të mos shkojë te penalltitë, por nëse është radha ime, do t’i gjuaj pa problem. Kemi shumë lojtarë të rinj dhe puna ime është t’i ndihmoj ata të rriten. Vetëm ata që lejojnë veten të ndihmohen mund të përmirësohen. Ata duhet të kuptojnë se nuk janë ende Sergio Ramos ose Maldini”, tha Rudiger.
The post Rudiger: Nëse dëshiron të fitosh Champions League duhet të luash dhe fitosh ndaj ekipeve si City appeared first on Telesport.










