Rudari për skandalin e Bulliqit: Na ka paralajmëruar me “bishta sakice”, llapjanët s’meritojnë kryetar që i rrah

Sot nga mediat është publikuar një video-incizim i skandalit të kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi i cili shihet duke e sulmuar një qytetar.

Bulliqi gjatë ditës së djeshme i kishte mohuar raportimet në media dhe denoncimin e qytetarit në fjalë, por gjatë ditës së sotme është publikuar video e cila ka shuar dyshimet lidhur me këtë rast, shkruan lajmi.net.

Derisa as Bulliqi e as zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje ende nuk kanë reaguar për rastin, lajmi.net ka kontaktuar me kundër-kandidatin e Bulliqit në zgjedhjet e fundit lokale në Podujevë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudarin.

Rudari për lajmi.net është shprehur se Bulliqi ka paralajmëruar në fushatë edhe “bishta të sakicës”, por sipas tij është akt i shëmtuar dhe për keqardhje.

Tutje, Rudari shprehet se qytetari që është sulmuar nga Bulliqi është i sjellshëm dhe i urtë, ani pse nuk i di arsyet e këtij incidenti.

“Faktikisht na ka paralajmëruar në fushatë, kur ka përmendur bishtin e sakicës e kemi për dikë që nuk rri rehat e urt. Është për keqardhje, akt i shëmtuar, nuk e di cilat kanë qenë motivet e aktit, por sido që të jetë, më vie keq që një kryetar komune që e ka fituar besimin e qytetarëve të bie në atë nivel. Më vie keq edhe për punëtorin që kam punuar gjatë me të, është i sjellshëm, i urtë, nuk e di si ka ardhur deri tek incidenti, përveç asaj që është parë në media”, tha Rudari për lajmi.net.

Gjithashtu Rudari lidhur me cilësimet e këtij rasti si “vetmbrojtje”, nga ana e Bulliqit ka thënë se punëtori të cilin e ka sulmuar kryetari i Podujevës, nuk e sulmon askënd.

“Nga pamjet nuk shihej që ka vetmbrojtje nëse është video e plotë por them të drejtën duke e njohur ish-punëtorin, personalitetin e tij, nuk besoj se ai e sulmon dikë”, tha Rudari.

Në fund, Rudari duke komentuar mundësinë e dorëheqjes së Bulliqit tha se i njëjti duhet të japë përgjegjësi para votuesve të tij dhe siç shprehet ai “qytetarët llapjanë nuk e meritojnë një kryetar që i rrah”.

“Është e tij të vendosë, të japë llogari fillimisht para votuesve dhe llapjanëve sepse qytetarët llapjanë nuk e meritojnë një kryetar që i rrah”, tha Rudari në fund.

Sipas videos në fjalë, vërtetohen denoncimet e qytetarit i cili tha se është kapur për fyti nga kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi.