Shqipëria është vendi me proeuropian në rajon dhe meriton integrimin në BE.
Kryetari Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi mori pjesë të hënën pasdite në konferencën e kryeparlamentarëve të Bashkimit Evropianë, që u po mbahet në kryeqytetin e Austrisë, Vienë.
Konferenca trajton politikat e zgjerimit si edhe përballimin e sfidave të zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Europian.
Në fjalën e tij në Konferencë Ruçi ofroi disa argumente që mbështesin vijimin e procesit të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, më specifikisht me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen e popullit shqiptar për mbështetjen që BE dhe të gjitha vendet anëtare vazhdojnë t’i japin Shqipërisë për kryerjen e reformave të thella në kuadrin e integrimit evropian.
“Integrimi Europian është e vetmja rrugë për Shqipërinë, pa asnjë alternativë tjetër. Ne nuk kemi plan B. Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në adresimin e pesë prioriteteve kyçe të përcaktuara nga Këshilli Europian, veçanërisht në reformimin e sistemit të drejtësisë, procesin unik e të guximshëm të Vetting-ut, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe në dekurajimin e kërkesave për azil të qytetarëve shqiptarë në vendet e BE. Prandaj kam besim se edhe raporti i këtij viti i Komisionit do të jetë pozitiv”, tha Ruçi.
“Zgjerimi duhet të mbetet një prioritet i pandryshuar i Bashkimit Europian, një investim për paqen, sigurinë e stabilitetin e të gjithë kontinentit tonë. Ngadalësimi i procesit, – shtoi Ruçi, – mund të krijojë hapësira që mund të shfrytëzohen nga aktorë të tjerë, që synojnë të rrisin ndikimin e tyre politik, ekonomik dhe kulturor në Ballkanin Perëndimor, të dëmtojnë stabilitetin dhe të devijojnë perspektivën e tij europiane. Nuk mund ta fshehim që tashmë ka një prezencë të shtuar të Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ne besojmë te vlerësimi pozitiv për Shqipërinë, bazuar në arritjet tona dhe shpresojmë që meritat e njëjta të shpërblehen me vlerësime e vendime të njëjta për vendet me rezultate të njëjta”, theksoi Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi./atsh