Rubio: Trump ka “oreks të madh” për bashkëpunim ekonomik me Serbinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të mërkurën se është pajtuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, që Shtetet e Bashkuara dhe Serbia të zhvillojnë dialog të përbashkët strategjik në fund të këtij viti.

Në një shkrim në X pas takimit me Gjuriqin në Departamenti amerikan të Shtetit në Uashington, Rubio tha se “jemi të përkushtuar për marrëdhënie me dobi të ndërsjellë me Serbinë, e cilat sjellin përfitime për qytetarët tanë dhe interesat tona”.

Gjuriq tha pas takimit për mediat serbe se kjo vizitë ishte mundësi e madhe për Serbinë për ta filluar bashkëpunimin strategjik me administratën e presidentit Donald Trump herët dhe si vendi i parë në rajon.

“Mendoj se do të shohim më shumë rezultate dhe hapa më konkretë në javët dhe muajt në vijim. Vetë fakti që unë jam praktikisht ndër të parët nga pjesa jonë e botës si ministër këtu është një akt respekti dhe një dëshirë e sinqertë për të ndryshuar diçka për mirë”, tha Gjuriq për Tanjug.

Ai tha gjithashtu se “kemi parë se ka një oreks i madh” për të thelluar bashkëpunimin ekonomik përmes projekteve konkrete në fushën e energjisë, infrastrukturës, teknologjive të reja, shkencës, bashkëpunimit në fushën e arsimit dhe kulturës.

“Mendoj se kjo është një mundësi që duhet ta shfrytëzojmë, sepse administrata e udhëhequr nga presidenti Trump ka nevojë edhe për aleatë dhe miq, dhe Serbia, historikisht, dikur ishte në kuptimin e vërtetë të fjalës, dhe besoj se mund të jetë përsëri”, theksoi ai.

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

Në janar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosova dhe Shtetet e Bashkuara së shpejti do të finalizojnë një marrëveshje për dialogun strategjik, por nuk është e qartë se kur do të fillojë ai.

Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, Radio Evropa e Lirë konfirmoi se SHBA-ja ka zhvilluar dialog strategjik gjatë viteve të fundit me Shqipërinë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin, etj.

Rubio dhe Gjuriq biseduan gjithashtu për rëndësinë e uljes së tensioneve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë, për të avancuar stabilitetin rajonal dhe për të krijuar kushte për rritje ekonomike dhe mirëqenie, tha tëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce.

Në këtë takimin e së mërkurës mes Rubios dhe Gjuriqit ishte i pranishëm edhe zyrtari i lartë i Byrosë për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në DASH, Brendan Hanrahan dhe nënsekretarja Allison Hooker.

Hanrahan gjatë korrikut kishte vizituar disa shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë.

Gjatë qëndrimit në Beograd, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se temë e diskutimit me zyrtarin amerikan ishte nevoja për bashkëpunim ekonomik mes dy shteteve.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se më 7 gusht do të hyjnë në fuqi tarifat e reja tregtare. Sipas vendimit, Serbia do të goditet me 35 për qind tarifa.

As Rubio e as Gjuriq nuk përmendën çështjen e tarifave në deklaratat e tyre./rel

The post Rubio: Trump ka “oreks të madh” për bashkëpunim ekonomik me Serbinë appeared first on Kosovapost.net.