Duke folur para gazetarëve, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha se vendi i tij është afër një marrëveshjeje për ta marrë “tërë naftën që është bllokuar në Venezuelë”.
“Ne do ta shesim atë në treg, në nivelet e tregut, jo me zbritjet që po i merrte Venezuela. Ato para më pas do të trajtohen në atë mënyrë që ne do të kontrollojmë se si shpërndahen ato në një formë nga e cila përfiton populli venezuelas, jo korrupsioni, jo regjimi” – deklaroi kryediplomati amerikan, raporton gazeta “The Guardian”.
Kur u pyet nga reporterët për atë nëse Uashingtoni është i brengosur për besnikërinë e presidentes së re të Venezuelës ndaj udhëheqësit të rrëzuar, Nicolas Maduro, Rubio qëndroi i vendosur.
“Pika kryesore është që tani ekziston një proces ku ne kemi kontroll shumë të madh dhe levë mbi atë se çfarë janë duke bërë dhe çfarë janë në gjendje të bëjnë autoritetet e përkohshme” – tha sekretari Rubio.
“Por, sigurisht, ky do të jetë proces tranzicioni. Në fund, do t’i përkasë popullit venezuelas që ta transformojë vendin e vet. Ne jemi të përgatitur nën rrethanat e duhura, duke e përdorur levën që e kemi, ku përfshihet fakti se ata nuk mund të lëvizin asnjë sasi nafte pa i lejuar ne” – shtoi zyrtari i lartë amerikan.
Rubio tha gjithashtu para gazetarëve se udhëheqësit e përkohshëm të Venezuelës kanë kërkuar që ngarkesa me naftë që është sekuestruar në njërën nga anijet të jetë “pjesë e këtij pakti”.
“Ata duan që nafta që ishte sekuestruar në njërën nga ato anije të jetë pjesë e marrëveshjes. Ata e kuptojnë se mënyra e vetme në të cilën mund ta lëvizin naftën dhe të gjenerojnë të hyra e të mos kenë kolaps ekonomik është që të punojnë me Shtetet e Bashkuara” – tha kryediplomati amerikan./Nacionale










