Rubio mbron Musk-un pasi një zyrtar polak e akuzoi se ka kërcënuar të ndërpresë Starlink-un në Ukrainë

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, qortoi homologun e tij polak për “trillime” pasi zyrtari e akuzoi aleatin e Presidentit Donald Trump, Elon Musk, se kishte kërcënuar të ndërpriste qasjen e Ukrainës në internetin Starlink, shkruan CNN.

Mosmarrëveshja buronte nga një debat midis Musk dhe një përdoruesi të platformës X mbi çështjen nëse CEO i SpaceX ishte mjaftueshëm kritik ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin, i cili nisi pushtimin e plotë të Ukrainës tre vjet më parë.

Musk u përgjigj se sistemi i tij Starlink është “shtylla kurrizore e ushtrisë ukrainase” dhe paralajmëroi se “e gjithë linja e parë e frontit” do të shembet nëse ai e çaktivizon sistemin. Ai gjithashtu argumentoi se Ukraina “do ta humbasë në mënyrë të pashmangshme” luftën me Rusinë dhe bëri thirrje për një fund të menjëhershëm të konfliktit.

Ministri i Jashtëm polak, Radosław Sikorski, iu përgjigj Musk-ut, duke thënë se qeveria polake paguan 50 milionë dollarë në vit për të siguruar lidhjen Starlink për Ukrainën dhe se “përtej etikës së kërcënimit të viktimës së agresionit, nëse SpaceX rezulton të jetë një ofrues i pasigurt, do të detyrohemi të kërkojmë furnizues të tjerë.”

Rubio e hodhi poshtë këtë pretendim, duke thënë se zyrtari polak ishte “thjesht duke sajuar gjëra” dhe se “askush nuk ka bërë kërcënime për ndërprerjen e Starlink në Ukrainë.”

“Thuaj faleminderit, sepse pa Starlink, Ukraina do ta kishte humbur këtë luftë prej kohësh dhe rusët do të ishin në kufi me Poloninë tani,” shtoi ai.