Rubio: Hamas nuk mund të jetë pjesë e qeverisjes së Gazës

Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Hamas “nuk mund të jetë i përfshirë në qeverisjen e Gazës në të ardhmen”. Gjatë një konference për shtyp gjatë vizitës së tij në Izrael, këtë të premte, 24 tetor, Rubio tha gjithashtu se agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) “nuk mund të ketë rol në Gaza”, duke e përshkruar atë si një “degë të Hamasit”.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit, do të krijohet një forcë ndërkombëtare stabilizuese me kompetenca të fuqishme për të kontrolluar sigurinë brenda Gazës. Pas raportimeve se kryeministri Benjamin Netanyahu kundërshtoi përfshirjen e Turqisë, Marco Rubio deklaroi se kjo forcë duhet të përbëhet nga vende me të cilat Izraeli ndihet i qetë.

“Nuk e kemi formuar ende atë forcë, kështu që puna vazhdon. Ka shumë vende që kanë ofruar të marrin pjesë. Natyrisht, kur të krijohet kjo forcë, duhet të përfshijë njerëz ose vende me të cilat Izraeli ndihet i qetë”, tha Rubio për gazetarët në një qendër koordinimi ushtarake në jugperëndim të Izraelit.

Ai tha gjithashtu se më shumë vende janë të gatshme të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin, por vendimi do të varet nga një marrëveshje më e gjerë rajonale. Sekretari amerikan i shtetit tha se një përfundim i qëndrueshëm i luftës do të inkurajonte më shumë vende që t’i bashkohen të ashtuquajturave Marrëveshje Abrahamike, sipas të cilave Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Maroku normalizuan marrëdhëniet me Izraelin në vitin 2020.