Rubin: Kishte ekstremistë që ishin kundër Rambujesë dhe të gatshëm të sakrifikonin mijëra jetë

Ish-Ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit, James Rubin gjatë dëshmisë në mbrojtje të UÇK-së dhe emrave që po akuzohen nga Gjykata Speciale, rrëfeu se si në kohën e negociatave të Rambujesë kishte individë ekstremistë që ishin kundër marrëveshjes dhe të gatshëm të sakrifikonin mijëra jetë të pafajshme.

Gjatë seancës, zotit Rubin iu drejtua pyetja nëse pikëpamjet e radikalëve, të cilët ishin të përgatitur të vinin në rrezik mijëra jetë vetëm për disa fjalë në një dokument, përputheshin me atë që ai kishte shpjeguar më herët.

“Pikëpamjet e radikalëve që përshkruhen këtu, që janë të përgatitur që të sakrifikojnë mijëra jetë të personave të pafajshëm, a është në të njëjtën linjë me atë çfarë ju na keni thënë sot në faqen 39, ku thoni që ekstremistët ishin të gatshëm që të vendosnin në rrezik jetën e mijëra njerëzve vetëm për pak fjalë në një dokument?”

Rubin konfirmoi një gjë të tillë, duke deklaruar se këta persona rrezikonin “jetët e mijëra e mijëra qytetarëve të pafajshëm”, por në anën tjetër ishin individë si Krasniqi dhe Thaçi që ai i tha se ishin “persona të moderuar” dhe se “donin që të nënshkruhej marrëveshja e Rambujesë, në mënyrë që Kosova të çlirohej.”

“Po. Është kënaqësi që shikoj që është e vërtetë ajo që gjithmonë kam menduar që është e vërtetë – që personat që ishin kundër Rambujesë dhe ishin të gatshëm të masakronin, të vinin në rrezik jetët e mijëra e mijëra qytetarëve të pafajshëm. Pra, nga njëra anë kishim këta persona ekstremistë, por nga ana tjetër kishim persona të moderuar si zoti Krasniqi dhe zoti Hashim Thaçi, që donin që të nënshkruhej marrëveshja e Rambujesë, në mënyrë që Kosova të çlirohej dhe të përfitonte nga mbështetja e Perëndimit.” – tha ai.