Ish-diplomati amerikan, James Rubin, po vazhdon edhe sot paraqitjen e dëshmisë se tij para Gjykatës Speciale.
Pas pyetjeve të prokurorisë dhe mbrojtjes, ai ka filluar të përgjigjet në pyetjet e gjyqtarëve.
Në interesimin e gjyqtarëve, ai ka treguar për kërcënimet dhe besimin që kishte ndaj Hashim Thaçit.
I pyetur nëse iu kishte besuar fjalëve të Thaçit, i cili në vitin 1999 i kishte thënë se shqiptarët dhe UÇK-ja dëshironin demokraci dhe bashkëjetesë, Rubin ka dhënë përgjigje interesante.
Ai ka bërë me dije se besimin ndaj Thaçit e kishte ndërtuar në vazhdimësi.
Sipas tij, Thaçi fjalët i përkthente në veprime.
“Besoj se ai donte marrëveshje, besoj se donte demokraci, edhe pse fliste me gjuhë komuniste në atë kohë. Ishte me përkthim, e vështirë të bëhet vlerësim i saktë. Bashkëjetesës, e di që shqiptarët e Kosovës kishin jetuar në regjim shtypës për dekada të tëra, me mijëra ishin vrarë, e dija që ai po thoshte atë që ne donim të dëgjonim që ishte gjë e mirë. A e besova këtë? I kam besuar gjithnjë me kalimin e viteve, sepse ai tregoi që fjalët që thoshte i përkthente në veprime. Edhe pse nuk kam dyshuar, u binda gjithnjë e më shumë për sinqeritetin e deklaratave të tija me kalimin e kohës”, ka thënë Rubin.
Duke iu referuar deklaratave të Rubinit, të cilat i ka dhënë dje, gjyqtari në fjalë ka tentuar të dijë se nga kush kërcënohej Hashim Thaçi.
Ish-diplomati amerikan ka bërë me dije se gjatë qëndrimit në Rambuje Thaçi kërcënohej nga forcat serbe.
Ai ka treguar se si Thaçi për të marrë pjesë në këtë konferencë e kishte kaluar kufirin këmbe.
“Dua të jem sa më i qartë: nuk kam pasur prova materiale se ai ishte i kërcënuar. Rambujeja ishte një mjedis tensioni. Thaçi ishte një person i ri për mua dhe njerëzit më thonin gjëra për UÇK-në dhe shqiptarët e Kosovës. Kjo ishte një përvojë e re”, ka deklaruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Dikush nga ekipi im më tha se ai ishte i kërcënuar. Në këto raste bisedoja me të, për të kuptuar nëse ishte apo jo. Më kujtohet se më ka thënë sa e vështirë ishte për të të hynte dhe të dilte nga Kosova përmes maleve. Mendoj që kërcënimet vinin nga serbët. Ai kërcënohej nga ushtria serbe” ka deklaruar Rubin.