RTK nga sot edhe pa u.d.Drejtor të Përgjithshëm dhe Bord pa kuorum, futet në krizë të thellë

Kriza institucionale në vend është duke i shkaktuar telashe të mëdha edhe Transmetuesit Publik, RTK-së. Që nga dita e sotme, RTK mbetet edhe pa ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm.

Detyrën e të parit të RTK-së e ka ushtruar Hysen Hundozi, i cili me një vendim të Bordit ishte vendosur në këtë pozitë me datë 31.10.2024, me një kohëzgjatje për 6 muaj. Ky afat ka përfunduar ditën e djeshme.

Sipas Rregullores për procedurat e konkursit në RTK të miratuar nga Bordi me datë 25.04.2024, neni 16 pika 4 dhe 5 thuhet decidividisht që ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm nuk ka mandat më shumë se 6 muaj.

Neni 16 pika 4 e Rregullorës për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në RTK thotë:

“Caktimi i Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm bëhet në kohëzgjatje jo më shumë se 6 muaj”.

Ndërsa pika 5 e po të njëjtit nen thotë:

“Në rast se edhe pas periudhës prej 6 muajve nuk emërohet Drejtori i Përgjithshëm në bazë të konkursit publik, ushtrues detyre do të emërohet një i punësuar tjetër i RTK-së”. Kjo rregullore ia pamundëson z.Hundozi që ta ushtrojë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm pasi që e ka konsumuar afatin prej 6 muajve sa ishte në këtë detyrë.

Problemi thellohet edhe më shumë kur kemi parasysh që Bordi i RTK-së për momentin ka vetëm 4 anëtarë prej 11 sa duhej t’i kishte. Ndërsa kuorumi për vendimmarrje sipas ligjit të RTK-së neni 30 pika 4 duhet të jetë së paku 6 anëtarë prezentë. Pra asnjë vendim nuk mund të merret në Bord nëse prezentë nuk janë së paku 6 anëtarë të kësaj trupe. Kjo e vështirëson edhe më shumë vendimmarrjen në Transmetuesin Publik dhe mund të thellojë edhe më shumë gjendjen e Radio Televizionit te Kosovës edhe ashtu shumë të rënduar nga interferimet e vazhdueshme të partisë që ishte në pushtet.

Ndërsa Kuvendi i Kosovës ka mbetur i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike, RTK do të ballafaqohet me probleme serioze ditëve ose muajve në vijim.

Qeveria e udhëhequr nga VV është sulmuar vazhdimisht për kontrollë të rreptë të RTK-së gjatë periudhës 4 vjeçare, duke e shfrytëzuar për të sulmuar mediat private në vend dhe për promovim të aktiviteteve partiake të kësaj partie.

Në Raportin e Reporterëve pa Kufij, Kosova ka shënuar një rënie drastike sa i përket lirisë së mediave. Nga pozita e 75 sa ishte vitin e kaluar ka rënë në pozitën e 99. Një ndër arsyet siç thuhet në këtë raport është edhe rrezikimi i pavarësisë editoriale në RTK./Demokracia.com/.