Punëtorët e RTK-së po vazhdojnë të jenë pa paga.
Për pasojë, greva e tyre pritet të vazhdojë edhe ditën e sotme.
Përderisa ata po mbajnë grevë, ministri në detyrë Hekuran Murati ka kërkuar përgjegjësi nga partitë opozitare.
Megjithatë, ai tha se janë duke menduar një zgjidhje nga kursimet.
“Është situatë tejet e vështirë që të gjithë ata familje të mos marrin paga. Megjithatë ne përkundër vullnetit që kemi. Ne gjetëm mënyrë në muajin gusht, me shpresën që do të kishim kuvend të konstituar. E dhamë overdraftin, që kur të vinë mjetetet të shlyhet overdrafti. Por, Kuvendi duhet të themelojë komisionin parlamentar, megjithatë e pamë situatë. Partitë tjera refuzuan kategorikisht, ne ishim të gatshëm për komisionin, por votat tona ishin të pamjaftueshme. Kësisoji kemi ardhur në situatën që Kuvendi refuzoi pagat RTK. Nuk ka mënyrë si të funksionalizohet komisioni dhe të alokohen mjetet. Po mundohemi të gjejmë një zgjidhje”, tha ai.
E në fakt, ata që janë në krye të RTK-së po i akuzojnë punëtorët për agjenda politike me grevat e tyre.
Kjo nga U.D Drejtori pa mandat, Hysen Hundozi, që dikur ishte në krye të organizimit sindikal. Tash, edhe grevat për paga po i quan politike.
Kështu ka lënë të kuptohet Hundozi në një Email që u ka shkuar të gjithë punëtorëve të RTK-së e të cilën e ka siguruar Nacionale.
Të njëjtin postim, Hundozi e ka bërë edhe në rrjete sociale.
“Dëshiroj të shpreh keqardhjen time që çështja e buxhetit të RTK-së nuk u zgjidh përmes themeluesit tonë. Mungesa e vendimmarrjes në Kuvend ka krijuar një situatë të rënduar financiare për Transmetuesin Publik dhe, mbi të gjitha, për punonjësit që tashmë po përballen me vonesa të pagave dhe pasiguri të vazhdueshme. Megjithatë, dua t’i siguroj të gjithë kolegët, partnerët dhe publikun se ne jemi duke punuar intensivisht për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të qëndrueshme, ashtu siç kemi bërë edhe tre muaj më parë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me institucionet relevante në vend dhe me partnerët tanë, për të siguruar funksionimin normal të Transmetuesit Publik. Në këtë situatë të ndjeshme, bëj apel që RTK të mos përdoret si mjet presioni apo si instrument për agjenda politike. Transmetuesi Publik i përket qytetarëve dhe duhet të mbetet jashtë çdo ndikimi që cenon misionin e tij profesional, të pavarur dhe kushtetues”, ka shkruar ai.
Kjo ka bërë që Sindikata e RTK-së të reagojë ashpër. Ata e kanë dënuar këtë gjuhë të U.D drejtorit me mandat të skaduar, pasi i njëjti ka qëndruar për më shumë se 1 vit si U.D. Fillimisht me vendim të Bordit, e më pas me një rekomandim nga Zyra Ligjore. Por, aktualisht po qëndron pa mandat.
“SPERTK e konsideron të pavend dhe të papranueshme deklarimin e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm, i cili e ka cilësuar grevën si “politike”. Greva është tërësisht sindikale, e bazuar në të drejtat themelore të punëtorëve dhe në kushtet e rënda sociale-profesionale me të cilat ata përballen prej muajsh. Për më tepër, nuk është e qartë në çfarë cilësie po i lëshon deklaratat UD-ja, duke krijuar huti te punëtorët dhe opinionit publik. Madje punëtorë asnjëherë nuk janë njoftuar se çfarë hapash janë marrë për ti siguruar mjetet, duke paralajmëruar se do të vijmë në situatë të njëjtë sikur para tre muajve. Pra janë treguar totalisht neglizhent dhe të paaftë si dhe të vetëkënaqur nga: fillimisht dështimi, pastaj kinse zgjidhja”, thuhet në reagim.
Qeveria nuk po pranon t’i alokojë mjetet, përderisa opozita nuk ka pranuar të votojë buxhetin duke vlerësuar se është shkelje e Kushtetutës.











