Banorët e fshatit Koliq të Prishtinës kanë protestuar te trafoja e fshatit për ndërprerjet e energjisë elektrike me të cilat, siç thanë ata, po përballen prej vitesh. Nga protesta u theksua se këto ndërprerje kanë shkaktuar dëme në shtëpitë e tyre por dhe në shkollë.
Kryetari i fshatit Koliq, Bedri Hajzeri, paraqiti kërkesat, derisa bëri të ditur se i gjithë Gollaku po përballet me ndërprerje të energjisë elektrike.
“Kjo protestë vjen për arsye se disa herë kemi bërë kërkesa, kemi përsëritur kërkesat te kompanitë përgjegjëse të KEDS-it dhe deri më tash nuk kanë ndërmarrë asgjë për furnizimin e rregullt me energji elektrike në Koliq. Ky është një problem që po e theksoj për fshatin Koliq, por ky problem na përcjell gjithë Gollakun dhe jeni në dijeni se edhe më herët kemi pasur organizime të tilla. Mirëpo, ne si fshat e kemi pasur të tepërt që sa herë organizohemi me kërkesa dhe i drejtohemi KEDS-it, asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje prej tyre. Konkretisht e kam fjalën për këtë organizim, ku shumica janë nga lagjja Ahmetaj, por proteston i gjithë fshati”, tha ai.
Hajzeri përmendi dëmet që po shkaktohen si pasojë e ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, duke veçuar edhe ndërprerjet e procesit mësimor, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.













