Rryma 260% më shtrenjtë për prodhuesit, Mustafa i PDK-së: Kurti goditi rëndë sektorin privat, ka rritje dyshifrore të çmimeve

Goditje të rëndë ndaj sektorit privat – shtyllës krysesore të punësimit në vned. Kështu tha Arben Mustafa, zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë një konference për shtyp, rreth vendosjes në të ashtuquajturin “treg të lirë” të energjisë mbi 1 mijë e 300 biznese prodhuese kosovare pas vendimit të ZRrE-së, përkatësisht Qeverisë së Kosovës.

“Të dhënat e muajit prill tregojnë për rritje dyshifrore të çmimeve të produkteve bazike, të cilat prekin çdo qytetar, çdo familje. Çmimet e produkteve si mishi, vajrat dhe yndyrat, pemët, si dhe kafja e çaji u rritën me nga 10 deri në 16.4%. Në anën tjetër, punëtorët, pensionistët dhe përfituesit e kategorive të ndryshme sociale vazhdojnë të mos kenë rritje të të hyrave. Pra, vazhdojnë të jenë të braktisur në kohën kur shpenzimet e jetesës çdo ditë e më tepër po bëhen më të papërballueshme”, theksoi Mustafa.

“Vendimi për të nxjerrë bizneset në tregun e hapur të furnizimit me energji, pa asnjë masë përgatitore dhe pa u siguruar se do të ketë konkurrencë të mirëfilltë në tregun e furnizuesve të energjisë, pritet të rrisë me rreth 260% shpenzimet e furnizimit me energji për bizneset që kanë mbi 50 punëtorë apo mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor.

Një shtrenjtim kaq i madh i faturës së energjisë për disa biznese mund të nënkuptojë mbyllje të biznesit, ndërsa për një pjesë tjetër goditje të madhe në pozicionin konkurrues, duke i bërë eksportet e kompanive kosovare shumë më të shtrenjta dhe si pasojë, edhe më të pakta se që janë aktualisht.

Më pak eksporte nga kompanitë kosovare do të thotë më pak vende pune në Kosovë, më pak të ardhura për familjet kosovare dhe më pak tatime të paguara për shtetin e Kosovës. Me një fjalë, kjo qeveri po e godet rëndë sektorin privat dhe me këtë po godet shtyllën kryesore të punësimit dhe të gjenerimit të të ardhurave për familjet kosovare”, tha ai.