Ish-komandanti i brigadës “Agim Ramadani” në Koshare dhe ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, është përfshirë në debatin e fundit rreth betejës së Koshares, e cila ka ndodhur 20 vjet më parë.
Berisha në 20-vjetorin e rënies heroike të Milazim Mavrajt- Çeçeni, ka bërë thirrje që mos të ndahen dhe selektohen dëshmorët se në cilën brigadë apo zonë kanë luftuar.
“Është hera e parë që u drejtohem si ministër i Mbrojtjes, pasi ka kaluar një kohë e gjatë që shteti i Kosovës nuk ka pasur ushtrinë e vet, por që nga 21 janari i këtij vit Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës është shndërruar në Ministri të Mbrojtës dhe që tani e ka mandatin e ri ushtarak. Kur jemi te heroi që e përkujtojmë sot, Milazimi, ai ishte pjesë e Koshares, përkatësisht Brigadës 138 ‘Agim Ramadani’. Brigadës që me luftë e hoqi kufirin shqiptaro-shqiptar, brigadë e cila ka disa të veçanta që në vazhdimësi do t’i kujtojmë. E veçanta e kësaj brigade ishte që në strukturën e saj kanë qenë djem dhe vajza nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe jashtë saj, gjithashtu edhe nga diaspora”, ka thënë Berisha, duke shtuar se Kosharja është identifikuar si simbol i bashkimit.
Sipas tij, beteja e Koshares ishte një ndër faktorët e nënshkrimit të kapitullimit të Sllobodan Millosheviqit.
“Pavarësisht politikës ditore duhet të jemi bashkë dhe të mos lejojmë që dikush t’i japë kahe ndryshe betejës së Koshares. Një element tjetër që dëshirojë ta theksoj dhe që në të ardhmen edhe historia do të japë kontribut në shënimin e së vërtetës, një nga faktorët që detyrojë Milloshoviqin ta nënshkruajë kapitullimin ishte edhe beteja e Koshares. Të jeni të bindur për këtë. Ende nuk është diskutuar për këtë por në të ardhmen edhe ky element do të dalë. Secili luftëtar është histori në vete dhe le të flet për ndodhitë që vet i ka përjetuar dhe nuk ka nevojë të flet për çështjet që nuk ka marrë pjesë. Ju ftojë të jemi bashkuar dhe ta realizojmë amanetin e heroit tanë. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së heroit tonë Milazim Mavraj – Çeçeni dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për këtë vend”, ka thënë ministri Berisha, raporton “Epoka e re”.