Rrugëtimi i vezës nën Kurtin: Nga zotimi për ta liruar, në produkt “luks që i përket regjistrit të dëshirave”

Zotimi i famshëm se shporta esenciale e konsumatorit do të çlirohej nga pesha e saj financiare përmes ndërhyrjeve fiskale u avullua pa zhurmë dhe pa gjurmë. Ironikisht, kjo ndodhi pikërisht në momentin kur vetë ajo “barrë financiare” u transformua në një peshë ekzistenciale, të padurueshme, në dritën e valës së inflacionit më të egër dhe të paprecedent që Kosova iu ekspozua gjatë viteve të fundit.

Pas pesë vitesh pushtet, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti jo vetëm që dështoi ta jetësojë zotimin e tij kryesor për produktet elementare, por shporta me produktet më bazike të mundshme përjetoi të kundërtën: rritje eksponenciale të çimeve.

Në një deklaratë tashmë të famshme të vitit 2014, që prej vitesh qarkullon në rrjetet sociale, Kurti zotohej se me të në krye të Qeverisë, produktet bazike ushqimore do të liroheshin ndjeshëm përmes politikave fiskale që ai i shpaloste me vetëbesim:

“TVSH bëhet zero për gjërat elementare ushqimore. Buka me Lëvizjen Vetëvendosje nga 36 cent, që është mesatarja për çmimet e muajit shkurt për vitin 2014, bëhet 31 cent. Sheqeri nga 72 cent kilogrami bëhet 62 cent. Qumështi nga 91 cent mesatarisht bëhet në 78 cent. Vaji nga 1 euro e 23 cent, bëhet në 1 euro 6 cent”, deklaronte Kurti.

Në fund të vitit 2025, çmimet e produkteve bazike jo vetëm që konkurrojnë, por në raste të caktuara, tejkalojnë edhe ato të produkteve të luksit.

Periudha 2015–2021 ofronte një stabilitet që sot duket si luks.

Në periudhën 2015–2021, tregu karakterizohej nga një stabilitet relativ i produkteve esenciale. Çmimi për një pako vezësh prej 30 copësh sillej në marzhën e ngushtë mes 2.22 euro dhe 2.57 euro. Pra, kishte luhatje minimale dhe realtivisht të përballueshme.

Situata ndryshoi në mënyrë drastike në vitet pasuese. Viti 2022 ishte traumatik për ekonomitë familjare, ku çmimet e produkteve bazike pëson rritje të pabesueshme, duke prekur nivele rekord. Norma e inflacionit për produktet bazike ushqimore ishte në raste shumëfish më e lartë se mesatarja e inflacionit të përgjithshëm.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve Blegtorale për vezët në tremujorin e tretë të vitit 2022 shënoi kulmin historik, duke arritur kuotën 145.7 pikë (krahasuar me bazën 100 të vitit 2020).

Edhe pse më pas pati një farë zbutjeje graduale në vitin pasues, për produktet bazike kurrë nuk pati kthim në normalitet. Në vitin 2023, çmimi mesatar i vezëve qëndroi rreth 3.25 euro; në vitin 2024 ra në rreth 2.76 euro, për t’u rritur sërish më vonë, duke mbetur vazhdimisht mbi nivelet e para vitit 2021.

Me fjalë të tjera, “zbutja” që ndodhi pas pikut të 2022-shit nuk e ktheu kurrë vezën në atë produkt të lirë e të përballueshëm që ishte dikur. Inflacioni arriti nivele dyshifrore (mbi 14%), ndërsa qeveria mburrej me rritjen e të hyrave tatimore – të hyra që vinin pikërisht nga çmimet e fryra që paguanin qytetarët.

Sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin tetor 2025, grupi “djathë dhe vezë” ka shënuar rritje prej 7.5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.

Por përtej grafikëve dhe statistikave, realiteti në terren është edhe më brutal kur i marrim produktet një nga një. Sot, në raftet e marketeve, qytetari nuk gjen më vezën e premtuar të “lirë”. Një paketë vezësh (30 copë) sot varion nga 5 deri në gati 7 euro.