Rruga e Neymar drejt Kupës së Botës së radhës kalon edhe një herë nga salla e operacionit. Sulmuesi brazilian, që synon të marrë pjesë në Botërorin e tij të katërt, iu nënshtrua të hënën një ndërhyrjeje kirurgjikale në gjurin e majtë për të zgjidhur dhimbjen e vazhdueshme që e shoqëronte prej javësh. Ndërhyrja u krye pak më shumë se 6 muaj para Botërorit 2026.
Operacioni u realizua nga dr.Rodrigo Lasmar, mjek i kombëtares braziliane, i cili e njeh mirë Neymarin, pasi e ka operuar me sukses edhe më parë në “metatars”. Këtë herë bëhej fjalë për një artroskopi trajtuese të dëmtimit të meniskut medial, siç njoftoi zyrtarisht Santos.
Sipas klubit, “operacioni ishte i suksesshëm dhe sulmuesi është mirë”. Neymar pritet të nisë menjëherë rehabilitimin me fizioterapistin Rafael Martini. Koha e rikuperimit parashikon një ndalesë të paktën deri në fillim të shkurtit. Pavarësisht pengesës, plani mbetet i qartë: rinovim me Santosin edhe 6 muaj, me synimin për të qenë në formë optimale për Kupën e Botës 2026.

The post Rruga e Neymar drejt Botërorit 2026 kalon edhe një herë nga salla e operacionit appeared first on Telesport.













