Politologia Donika Emini në emisionin “Info Magazine” ka deklaruar se secili vend i Bashkimit Evropian e ka nga një vend që e shtyn përpara më shumë se tjetrin.
Megjithatë, sipas saj, një të tillë nuk e ka edhe Kosova, transmeton Klankosova.tv.
“Kosovën nuk e shtyn askush sepse Kosova nuk po e shtyn as veten. Kosova ka problem të mëdha politike për shkak të pesë vendeve mosnjohëse, por për fat të keq, Kosova nuk ka arritur që me një vend anëtar të krijojë marrëdhënie të thella politike, që do ta krijonin një partneritet që në njëfarë mënyre ta ketë dikë që i garanton brenda BE-së për Kosovën. Ka mundur të ishte Gjermania, pasi ishte për një kohë shumë të shkurtër”, tha Emini në Klan Kosova.
Ajo shtoi se në sytë e Bashkimit Evropian, Kosova nuk ka qeveri, pavarësisht se qytetarët mund të normalizohen me funksionimin e një qeverie kujdestare.
“Por Kosova nuk është duke i ndihmuar as vetes, për faktin që i kemi trë palë zgjedhje për më pak se dy vjet, fakti që nuk kemi pasur qeveri, ne vet e kemi vonuar ratifikimin e planit të rritjes, pastaj kur u bë lajmi i mirë që u ratifikua, prapë mbetëm pa qeveri. Dhe pa marr parasysh që ka vullnet politik, me vizitën e Marta Kos, nuk kemi qeveri legjitime për t’i shtyrë reformat përpara. Ne në Kosovë mund ta normalizojmë funksionimin me qeveri kujdestare, por në sytë e BE-së Kosova nuk ka qeveri”, tha politologia.









