Nëse do të donim ta kuptonim vërtet se si ndihet Zlatan Ibrahimovic në këtë kapitull të ri të jetës së tij, do të na duheshin dy gjëra. Një pyetje e drejtpërdrejtë, si për shembull “sa po e shijon atë që po bën në këtë ‘jetë të dytë’ tënden futbollistike?”
Dhe, mbi të gjitha, një sinqeritet ekstrem nga ana e tij. Zlatan nuk ka qenë kurrë njeri i retorikës apo frazave boshe, por është një gjë të flasësh pa filtra si futbollist dhe tjetër kur je pjesë e strukturës së një klubi.
Sot, nga mënyra si shfaqet, sa pak flet, nga qëndrimi që mban dhe temat me të cilat merret, Zlatan nuk jep përshtypjen e një njeriu të plotësuar në këtë rol. Jo për shkak të objektivave të klubit, por për mënyrën si është përshtatur. Dhe kush e sheh nga afër, pyet veten: “A është vërtet i lumtur?”
Një verë ndryshe për Zlatan
Kjo verë për Ibrahimovic ka qenë hyrja e tij në një dimension edhe më të veçantë. Mbërritja e Igli Tares, drejtor sportiv që nuk ka nevojë për “tutorë”, dhe e Massimiliano Allegrit, që po ashtu është i pavarur, ka plotësuar boshllëqe që te Milani ndiheshin prej kohësh. Dikur Ibra ishte imazhi publik i Milanit, në çdo event, çdo dalje, ai ishte aty.
Një prani që shpesh nuk pritej mirë nga pronarët e klubit, pasi në vizionin e “RedBird” roli i tij nuk duhej të ishte qendra e komunikimit mediatik të klubit. Sot ky ekspozim i tepërt nuk ekziston më.
Kohët e fundit, në një takim informal me mediat, morën pjesë Furlani dhe Tare, pa asnjë gjurmë të Zlatan, që në fund të fundit nuk është drejtues i Milanit, por konsulent i “RedBird” dhe i Gerry Cardinale.
Furlani sqaroi: “Ka pasur konfuzion për rolin e tij. Zlatan mbetet një figurë shumë e rëndësishme në projektin tonë. Ai ndihmon në aspektin sportiv, tregtar dhe institucional. Një njeri që na ka bërë të fitojmë si lojtar, që ka njohuri të jashtëzakonshme për futbollin”.
Edhe Tare konfirmoi: “Në këtë fazë të parë të merkatos kemi analizuar largimet dhe objektivat, duke bërë shumë mbledhje me stafin, me Zlatan, Moncada dhe Allegri”.
Pushime në Serengeti dhe roveshiata në pishinë
Në realitet, Ibra është pjesë e mbledhjeve dhe takimeve vendimtare, por funksionon si “part time”, i shkëputur nga ritmet e përditshme të zyrës. Ndërsa Tare udhëton, negocion, dërgon dokumente dhe flet çdo orë me Allegrin, suedezi poston në rrjetet sociale pushimet e tij me Verrattin, roveshiatat në pishinë, vizitat në Serengeti dhe urimet për Pogba, për fillimin e ri te Monaco.
E gjitha kjo në një kohë kur Milani po kalon një “revolucion” në skuadër. Ibra raporton direkt te “RedBird” dhe Cardinale, që dikur e quajti: “Zëvendësi im në Milano, zëri im për stafin dhe lojtarët”.
Figura e Ibrahimovicit mbetet disi e paqartë një lloj tabloje abstrakte ku secili sheh atë që dëshiron të shohë. Dhe pyetja fillestare mbetet: “Sa po e shijon Zlatan këtë jetë të re në futboll?”
The post Rroveshiata në pishinë, pushime dhe mbledhje…; Vera e çuditshme e Ibrahimovic, por a po kënaqet vërtet?! appeared first on Telesport.