“Rritje të çmimeve”, “reduktim të numrit të punëtorëve nga bizneset”: Cilat do të jenë efektet e shtrenjtimit të rrymës?

Shtrenjtimi i energjisë elektrike nuk do të përballohet lehtë nga qytetarët dhe bizneset kosovare. Vendimi i djeshëm i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për të shtrenjtuar rrymën për 16 për qind do të vështirësojë jetën në Kosovë. Ky veprim pritet të pasohet nga një valë e re e inflacionit.

Njohësit e ekonomisë kanë vlerësuar se ngritja e çmimit të energji do të përcillet me ngritjen e çmimit të produkteve tjera bazike.

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka treguar efektet zinxhir që do të shkaktojë vendimi i ZRrE-së.

Ne kemi përgjegjësi ndaj qytetarëve të këtij vendi. Ne jetojmë këtu dhe e dimë se kostoja e jetës është dyfishuar, se ligji për pagë minimale nuk po zbatohet, se çmimet e produkteve bazë po rriten çdo ditë. Duke pasë parsysh të gjitha këto edhe një ngritje e tarifave të energjisë do ta vështirësonte edhe më shumë jetën e qytetarëve, ndërsa bizneset do të detyrohen të rrisin edhe më shumë çmimet e produkteve dhe shërbimeve”, ka shkruar Bajrami në profilin e saj në “Facebook”.

Edhe analisti politik Shenoll Muharremi, i cili po e kundërshton në mënyra të ndryshme shtrenjtimin e rrymës, ka paralajmëruar valë të re të inflacionit.

Politika kosovare duket se e ka humbur kontaktin me realitetin. Nesër pritet të merret një nga vendimet më të rëndësishme për vendin, ekonominë dhe familjet, bizneset, shërbyesit e prodhuesit vendor. Ata po sillen sikur asgjë nuk po ndodh. Janë të zënë me pazare për pushtet dhe karrige. Asnjë fjalë e veprim nuk e bëjnë për qytetarët, për bizneset, për ekonominë që po kërcënohet nga një valë e re inflacioni. Kosova nuk ka nevojë aspak për kësi lloj politikanësh që nuk sjellin dobi e nuk interesohen për interesin publik. Kur e humb kontaktin me realitetin, e humb edhe arsyen për të ekzistuar”, ka shkruar Muharremi në profilin e tij në “Facebook”.

Kurse, Uk Lushi, veprimtari i cili jeton dhe vepron në ShBA, ka paralajmëruar efekte të menjëhershme të vendimit për shtrenjtimit të rrymës.

Duke e kritikuar Qeverinë Kurti për këtë veprim, ai ka bërë me dije se edhe çmimi i produkteve tjera mund të rritet deri në 25 për qind.

Votuesit në Kosovë ua dhanë 41% VV-së dhe Albin Kurtit. Kurti dhe VV ua trusën rritje në çmimin e rrymës 16% si falënderim. Pritini edhe pak dhe do ta merrni edhe mbetjen prej 25% ngritje shpejt në produkte të tjera. Kurti e paguan ende qiranë korruptive prej 250 eurosh— çmim ku mbase hyn edhe rryma si bonus. Pse të mërzitet ai për juve kur ju nuk çani kokën për vete?! Pasi e penguan ndërtimin e kapaciteteve energjetike për 21 vite, VV dhe Kurti patën 4 vjet të ndërtojnë Termocentralin dhe ta bëjnë Kosovën të pavarur energjetikisht, por zgjodhën dënimin e votuesve me çmime. Bravo votuesit e bukur të Kosovës! Për besë po zgjedhni fort mirë!”, ka shkruar Lushi.

Ndërsa, avokati Ardian Bajraktari ka bërë me dije se shtrenjtimi i rrymës do të ketë kosto të madhe për bizneset, transmeton nacionale.

Duke përmendur një shembull konkret, ai ka bërë me dije se një kompanie ngritja e çmimit të energjisë do t`i kushtojë 34 mijë e 574 euro më shumë.

Në profilin e tij në “Fcebook”, Bajraktari ka shkruar se ky veprim do t`i detyrojë bizneset që të reduktojnë numrin e punëtoreve.

Vendimi i ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ka pasoja, ja një nga dëshmitë. Pikë referimi janë marrë pagesat e Kompanisë Mineral L.L.C për 12 muajt e vitit 2024, i është shtuar diferenca prej 16% për secilin muaj, del se kompania (nëse shpenzon/paguan) sikur gjatë vitit 2024, do të paguaj 34,574.04 euro më shumë, në vit. Kjo kompani është një nga subjektet e cila më ka autorizuar për t’u marrë me vendimin e ZRrE-së. Kjo shumë shtesë i shkakton probleme, andaj janë të detyruar ta rishikojnë intensitetin e punës, rrjedhimisht edhe reduktimin e stafit/punëtorëve. Këto janë dëme të mëdha dhe të pariparueshme”, ka shkruar Bajraktari.

Presidentja, opozita, shoqëria civile dhe qytetarët e kanë kundërshtuar në mënyra të ndryshme rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Kurse, Qeveria dhe partia në pushtet është pajtuar me shtrenjtimin e rrymës për 16 për qind.