Rritje e lartë e përdorimit dhe prodhimit të drogës në Kosovë

Policia e Kosovës vazhdimisht është duke realizuar aksione në gjetjen e lëndëve narkotike, madje në bazë të të dhënave të Policisë së Kosovës rritja e konfiskimit dhe sekuestrimit të saj është shumë herë më e madhe në dy vitet e fundit. Pos efikasitetit të Policisë, kjo po shihet edhe si alarm për rritjen e përdorimit dhe prodhimit të drogës në Kosovë.

Policia e Kosovës nuk la formë vitin e kaluar pa kapur prodhues të lëndëve narkotike, nga ato që prodhoheshin në kushte shtëpie e deri tek ato në fushat më të fshehta të ndonjë mali.

Të tilla aksione kanë vazhduar edhe gjatë këtij fillimviti, përfshirë kapjen e 10 kilogramëve marihuanë në komunën e Gjilanit.

TV Dukagjini kërkoi nga Policia e Kosovës statistikat e lëndëve narkotike të konfiskuara dhe sekuestruara gjatë 2 viteve të fundit duke përfshirë edhe muajt e parë të 2025-së, por për këtë të fundit nuk pati përgjigje.

Megjithëkëtë, të dhënat për dy vitet e fundit tregojnë për rritje relativisht të mëdha në konfiskim.

Në vitin 2023 lëndë narkotike heroinë u kapën 2.8 kg, kurse në 2024-ën 27.8 kg.

Rritje të konsiderueshme pati edhe kokaina që nga 5.4 kg në 2024-tës shkoi në 14kg të konfiskuar.

E marihuana mbetet lënda narkotike më e shpeshtë që Policia has në të, pasi që nga 601 kg në 2023-tën shkoi në 1 mijë e 279kg të kapur nga organet e rendit.

Kjo rritje e konfiskimit, sipas Safet Blakajt nga “Instituti Labyrinth” përkthehet si rritje e përdorimit dhe prodhimit të drogave në Kosovë.

“Në 2-3 vitet e fundit sa i përket përdorimit të drogave i afrohemi vendeve afër neve siç është Serbia, Shqipëria, ngjashëm më Maqedoninë por më teper se Mali i Zi e kështu më radhë që kemi qenë shumë më mirë se këto para pak viteve”, ka deklaruar Safet Blakaj, Instituti “Labyrinth”.

Të mirë po e konsideron edhe punën e institucioneve ish-koloneli Refki Morina, veç që thotë se droga ka marrë hov të përdorimit, andaj fokusi duhet të jetë në parandalimin e përdorimit të saj.

“Ky parandalim shihet me bashkëpunimin me drejtorët nëpër shkolla, pastaj ligjëratat vazhdueshme me mbajtë me këta nxënës diku filluar që nga filloret e deri në universitet që të binden sasa është i dëshmshëm përdorimi i drogës”, ka deklaruar Refki Morina, Ish-kolonel i Policisë së Kosovës.

Morina thotë se edhe vendimet e gjykatave duhet të jenë më të ashpra pasi që shumica e personave të arrestuar po dalin recidivist dhe duhet një bashkëpunim më i madh me qytetarët.

Në Kosovë ka rënë edhe mosha mesatare e fillimit të përdorimit të lëndëve narkotike, e cila momentalisht konsiderohet të jetë 16 vjeç.