“Rritja ekonomike”: Ku mbaron statistika dhe ku fillon propaganda e Kurtit dhe Muratit?

Nga një “histori suksesi” e përgatitur me selektime – sipas dëshirave – të grafikëve dhe shifrave, te realiteti i zymtë kur performanca ndër vite e Kosovës për rritje reale ekonomike vendoset në përspektivën e duhur krahasuese.

Kjo përmbledh thelbin e narrativës ekonomike që Albin Kurti dhe Hekuran Murati kanë ndërtuar dhe ushqyer gjatë katër viteve në pushtet, e që vazhdojnë ta riprodhojnë edhe në vitin 2025. Përdredhje e kujdesshme dhe selektivitet, ku zgjedhja e periudhës, krahasimeve dhe treguesve ekonomikë shndërrohen në instrumentë të propagandës.

Lajmi i parëndësishëm që s’tregon asgjë, i paketuar si “arritje”

Murati e dha si arritje faktin që Kosova, jo “do ta ketë”, siç e formulon Murati, por projeksionohet ta ketë, “rritjen ekonomike më të lartën në rajon.”

Kjo, sipas tij, “dëshmon se politikat e Qeverisë Kurti funksionojnë, dhe njëkohësisht demanton të gjithë ata që prognozonin të kundërtën.”

Propagandën u kujdes t’ia zmadhojë deputeti Kurti, duke e ngritur absurditetin në në nivel tjetër: “Kosova po bëhet storie suksesi për rritje ekonomike.”

Çka nënkupton kjo realisht për Kosovën?

Projeksionet më të fundit të institucioneve ndërkombëtare – FMN-ja dhe Banka Botërore – parashikojnë një rritje të BPV-së prej vetëm rreth 3.8–3.9% në periudhën 2025–2027 për Kosovën. Një ritëm modest, që megjithatë brenda kornizës së Ballkanit Perëndimor mund të duket “pozitiv” në krahasim me fqinjët.

Dhe pikërisht këtu ndërtohet iluzioni: mjafton ky avantazh relativ për ta kthyer një performancë të zakonshme në “arritje”, me statuse pompoze si “më e larta në rajon” apo “rritje rekord”.

Propaganda e Muratit, të cilën ia shpërndau Kurti, mbështetet në disa manipulime të dukshme:

Krahasim ekskluzivisht me vitin 2025: Injorohet me vetëdije linjën e plotë të projeksioneve ku avantazhi zbehet gradualisht, sidomos në vitin 2026 ku Serbia pritet të ketë rritjen substancialisht më të lartë se Kosova.

Mburrje me projeksione: Murati e promovon pritjen analitike për “rritje” si arritje tashmë të ndodhur, duke e formuluar kështul: “Kosova edhe sivjet do ta ketë…“.

Krahasimi që mungon në narrativën qeveritare

Në periudhën para pandemisë (2012–2019), Kosova kishte vite të njëpasnjëshme me rritje reale mes 4–5%, madje disa mbi 4.5%.

Pas vitit 2022, ritmi ka stagnuar: rritja rrallë e kalon 4.3%, ndërsa për dekadën 2025–2030 parashikimet flasin për vetëm 3–4% – shumë më poshtë se norma që do të duhej për atë që njihet si konvergjencë reale ekonomike me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian,.

Në raport me qeveritë e mëparshme, rrjedha e rritjes ekonomike është e zbehur ndjeshëm. Edhe nëse 2025 sjell “rritjen më të lartë në rajon”, ajo do të ndodhë në një vit të dobët për gjithë Ballkanin , një “fitore” që makson një fakt tepër të thjeshtë: Rritja ekonomike e Kosovës ka stagnuar në 4 për qind.

Viti 2016 2017 2018 2019 2020 2021 2022 2023 2024 2025* 2026* 2030*
Kosova — rritja reale e PBB-së (%) 4.8 4.8 3.4 4.8 -5.3 10.7 4.3 4.1 4.6 3.9 4.0 3.9