Rritja e pensioneve dhe shtesave, Muharremi: Formulë me ua vjedhë votën qytetarëve më të varfër të Evropës

Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar vendimet e fundit të qeverisë për rritje të pensioneve dhe shtesave për fëmijët.

Sipas tij, kjo është një skenar klasik ku të bëjnë zullum e të varfërojnë me dorën e majtë, e të blejnë (votën) me dorën e djathtë.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai iu ka bërë thirrje qytetarëve që t`i marrin paret që iu ofrohet, por votën dhe dinjitetin të mos e shesin.

“Kjo cka po shohim këto ditë, e që nuk është e re por një eskalim, është një skenar klasik ku të bëjnë zullum e të varfërojnë me dorën e majtë, e të blejnë (votën) me dorën e djathtë. -Fillimisht rrisin çmimin e energjisë. -Krijohet inflacion, rriten çmimet, jeta bëhet e papërballueshme. -Qytetari varfërohet se 100 euro kanë vlerë rreth 60-65 euro sot, aq mundesh me ble në market; -Sulme dhe presion bizneseve dhe prodhimit, rritet importi dhe deficiti, çdo muaj dalin nga vendi mbi 500 milionë euro e në vit deficiti në tregti mallra shkon 6 miliardë (pare jashtë vendit)..”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

“-Pastaj kur qytetarët pshtetën për muri ua rrisin pak pagat e shtesat para dhe gjatë zgjedhjeve që me u dukë sikur po ndihmojnë. Në fakt, vetëm po i kthejnë aty ku i kanë zbrit vetë. Kjo i bjen si me të rreh njëherë mirë e mirë.. e pastaj me ta jep një gotë ujë që ti me mendu se të shpëtoi e me i thonë faleminderit. E kanë gjetë një formulë të ulët me jau vjedhë votën qytetarëve më të varfër të Europës”, ka shkruar ai.