Rritja e pagës minimale, pensioneve e shtesave nga Kurti, Krasniqi: Blerje e votave për balotazh dhe zgjedhje parlamentare

Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka reaguar pas vendimeve që mori sot Qeveria në detyrë, ku e miratoi projektbuxhetin për vitin 2026, rriti pagën mimimale, pensionet dhe shtesat për fëmijë.

Krasniqi ka thënë se vendimet u morën për blerjen e votave për balotazh dhe zgjedhje parlamentare, teksa e ka cilësuar këtë si “thes të mashtrimeve të një “babadimri”, shkruan Reporteri.net.

Ai ka thënë se ato që u thanë sot do të bëhen, por jo me Albin Kurtin në Qeveri.

“Thesi i mashtrimeve të një “babadimri” që kurrë s’erdhi për qytetarët e Kosovës, sado që premtoi çdo vit për pesë vjet, s’mundet me e rikthy besimin e humbur te qytetarëve e as nuk mund te arrijë qëllimin e blerjës së votës për balotazh dhe për zgjedhje parlamentare. Krejt ato që sot u thanë në mbledhjen e fundit të kësaj qeverie, e që s’u bënë pesë vjet me radhë, do të bëhen: më mirë, më shumë e më shpejt, por me qeverinë e ardhshme, pa Albin Kurtin e pa Vetëvendosjen. Mashtrimi elektoral nuk kalon. Uji i turbullt s’pihet dy herë!”, ka shkruar Krasniqi.

Qeveria në detyrë miratoi sot Projektbuxhetin për vitin 2026 në vlerë 4 miliardë euro, rriti pagën minimale në 500 euro, pensionet nga 120 euro në 150 dhe shtesat për fëmijë për 50 përqind./Reporteri.net