- Për gjysmë më shumë pagat në sektorin publik.
Ky është vendimi i parë që Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës zotohet ta ndërmerrë me të marrë qeverisjen e vendit.
Në ditën e parë të hapjes së fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Hamza e nisi aty ku e kishte lënë në zgjedhjet e kaluara: se zhvillimi, rritja dhe mirëqenia ekonomike e vendit e përbën kryemotivin e tij politik.
“Ne besojmë në një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që nuk e lë pas asnjë qytetar. Prandaj, do t’i rrisim pagat dhe pensionet. Pagat për mësuesit dhe arsimtarët, për mjekët, policët, zjarrfikësit, ushtarët dhe për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit do të rriten deri në 50%”, ka thënë ai.
Në Prizrne ku e hapi fushatën, Hamza u morr gjerësisht me ekonominë e vendit dhe predikamentin financiar të qytetarëve të Kosovës.
Në fushat tjera që tha të jenë shtylla e ofertës së tij zgjedhore, Hamza e pati Mbrojtjen dhe Politikën e Jashtme.
“Do ta krijojmë Gardën Kombëtare të Kosovës, si forcë operative sipas standardeve të NATO-s. Anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian për mua nuk ka alternativë. Do ta thellojmë partneritetin me NATO-n, do të punojmë për Partneritetin për Paqe, do ta rifillojmë Dialogun Strategjik me SHBA dhe do ta synojmë Marrëveshjen Strategjike me aleatin tonë kryesor. Po ashtu, do të punojmë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe për marrjen e statusit të kandidatit në BE”, ka thënë Hamza.
I pari i PDK-së iu referua qeverisjes së shkuar si forcë politike që ka çrregulluar dhe kaotizuar vendin: për çka bëri thirrje për ndryshim.
“Sot, Kosova ka qeveri që reagon. Por, ka nevojë për qeveri që parandalon dhe zhvillon. Sot, Kosova ka qeveri që justifikohet. Por, ka nevojë për qeveri që punon. Le ta themi qartë edhe këtu para jush në Prizren. Asnjë vend nuk ecën përpara kur politika shndërrohet në fushëbetejë. Asnjë familje nuk ndihet e sigurt pa stabilitet shtetëror. Asnjë i ri nuk sheh të ardhme aty ku sundon kaosi.
I kemi provuar që pesë vjet të gjitha këto. Nuk funksionuan. Tani është koha për bashkimin. Për bashkimin tonë për të ecur përpara. Unë besoj se qytetarët e Kosovës dinë të dallojnë. Dinë të shohin përtej zhurmës. Dinë të zgjedhin të ardhmen. Mes kaosit dhe stabilitetit, zgjidhja është e qartë. Mes improvizimit dhe planit, mes përçarjes dhe bashkimit, PDK është zgjidhja. Sepse, ne punojmë për ta çuar Kosovën përpara”, ka theksuar Hamza.












