“Rritja e çmimit të energjisë është goditja e parë, por jo e fundit”: Kundërshtohet ashpër shtrenjtimi i sërishëm i rrymës

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar se çmimi i energjisë elektrike do të rritet me 15%, duke e arsyetuar këtë vendim me ndikimet e inflacionit global dhe lëvizjet në tregun ndërkombëtar të energjisë. Vendimi nxiti një valë reagimesh, ku deputetë, analistë dhe ekspertë të fushës së energjisë kundërshtuan rritjen, duke e cilësuar si të padrejtë dhe të papërballueshme për qytetarët.

Mbrëmjen e së premtes, kreu i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, deklaroi se, ndonëse çmimi i energjisë në Kosovë është rritur disa herë gjatë tre viteve të fundit, ai mbetet ende ndër më të ultët në rajon. Ai dha një shembull konkret: një konsumator që deri më tani paguante 50 euro për energjinë e shpenzuar, pas rritjes do të paguajë rreth 58 euro.

Nëse një konsumator deri më sot ka paguar rreth 50 euro për energjinë e shpenzuar, pas rritjes së tarifave ai do të paguajë rreth 58 euro, pra minimalisht 8 euro më shumë. Ndërsa bizneset do të paguajnë tarifa të tjera.” – ka thënë Fejzullahu në T7.

“Goditja e parë, por jo e fundit”

Një nga zërat më kritikë ndaj rritjes së tarifave është njohësi i ekonomisë Shenoll Muharremi, i cili e lidh këtë vendim me keqmenaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

sipas tij, dështimi i KEK-ut për të prodhuar energji të mjaftueshme ka detyruar kompaninë KEDS të importojë “energji me vlerë 37 milionë euro më të lartë sesa niveli i lejuar nga ZRRE.”

Si pasojë, pamundësia e KEK-ut për të prodhuar energjinë ka detyruar KEDS-in të importojë energji me vlerë 37 milionë euro më të lartë sesa niveli i lejuar nga ZRRE. KEDS po i bën presion ZRRE-së që të jetë më profesionale në parashikime, por në fakt, ZRRE-ja e ka parashikuar mirë situatën, KEK-u nuk ka gjeneruar aq sa ka planifikuar dhe i ka vendosur në pozitë të vështirë aktorët e tjerë në ekosistem.” – ka vlerësuar ai.

Ndërsa sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, rritja e tarifave të energjisë do të ndikojë direkt në rritjen e çmimeve të produkteve bazë, si buka, qumështi dhe transporti.

Rritja prej 15% e çmimt të energjisë për shpenzuesit komercial (bizneset) është drejtpërdrejtë kosto shtesë për të gjitha produktet dhe shërbimet e tyre. Rritja e çmimit të energjisë është goditja e parë, por jo e fundit, sepse kur bizneseve u rriten shpenzimet, atëherë çmimet e të gjitha produkteve bazë do të rriten përsëri si: çmimi i bukës, qumështit, vajit, sheqerit, transportit dhe çdo produkti tjetër të domosdoshëm për jetesë. Pra, standardi i jetesës në vitin 2025 do të jetë më i ulët se ai i vitit 2020.” – ka shkruar Bajrami ndër të tjera.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka kundërshtuar gjithashtu vendimin, duke paralajmëruar ndikime negative në sektorët kryesorë të ekonomisë, përfshirë prodhimin, eksportin dhe punësimin.

Ata kërkuan nga Qeveria pezullimin e menjëhershëm të rritjes së çmimit të energjisë dhe krijimin e mundësive më të mira për furnizim të qëndrueshëm dhe transparencë në treg.

Të pezullojë menjëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë dhe të shqyrtojë mundësi të tjera për të siguruar stabilitet në sektorin energjetik. Të shtyjë për të paktën dy vit liberalizimin e tregut të energjisë, duke ofruar më shumë transparencë dhe mundësi për furnizim të qëndrueshëm për bizneset. Të krijojë një platformë të hapur për krahasimin e çmimeve nga furnizuesit, duke i dhënë mundësi bizneseve të marrin vendime të informuara. Të heqë kufizimin prej 200 kW për instalimin e paneleve solare, duke i lejuar bizneset të investojnë në burime të qëndrueshme të energjisë.” – thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.