“Rritja e çmimit të energjisë do të ndikojë edhe në çmimin e ushqimeve”

Ekonomisti Edison Jakurti ka deklaruar se rritja e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë mund të bëjë që të rriten edhe çmimet e ushqimeve.

Sipas tij, rritja e faturave elektrike do të bëjë që të rritet edhe çmimi i bukës, qumështit “dhe gjithçka tjetër që prek jetën e përditshme”.

Duke cituar të dhënat mujore të Agjencisë Statistikore të Kosovës (ASK), Jakurti ka shtuar se çmimet e ushqimeve dhe të pijeve joalkoolike janë rritur mesatarisht për 37 për qind, e të energjisë për 44 për qind, gjatë periudhës janar 2021 – shkurt 2025.

“Korrelacioni mes çmimit të energjisë elektrike dhe çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike është 0.83 (ku maksimumi është 1), po aq sa edhe lidhja mes çmimit të energjisë dhe nivelit të përgjithshëm të çmimeve. Bazuar në këtë raport dhe trendet e viteve të fundit, një rritje prej 15% e çmimit të energjisë mund të çojë në një rritje mesatare prej 12% të çmimeve të ushqimeve në Kosovë. Nëse energjia shtrenjtohet, nuk rritet vetëm fatura e rrymës—rritet çmimi i bukës, i qumështit dhe gjithçka tjetër që prek jetën e përditshme”, ka thënë ai në Facebook të hënën.

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se ka publikuar raportet konsultative që lidhen me të hyrat maksimale të lejuara për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS), dhe Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU).

Sipas ZRRE-së bazuar në rezultatet e këtyre raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15%.

“Raportet konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRRE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje. Ky publikim ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat”, thuhet në njoftim.