Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka reaguar ndaj paralajmërimeve për shtrenjtimin e bukës, kafes dhe produkteve tjera bazike.
Përmes një komunikate për media, ky institucion ka bërë me dije se ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut.
“Për shkak të shqetësimeve të ngritura nga qytetarët dhe raportimeve të shumta në media, Autoriteti ka intensifikuar aktivitetet e tij për monitorimin e tregut. Aktualisht, është duke u zhvilluar një analizë e thelluar e mbi 20 produkteve bazë për të analizuar arsyet e ngritjeve të çmimeve në tregun e Kosovës. Gjithashtu, ka filluar monitorimi i tregut të bukës, dhe Autoriteti është në proces të mbledhjes së informatave për të vlerësuar nëse rritjet e fundit të çmimeve në këtë sektor janë të arsyetuara apo në kundërshtim me ligjin për konkurrencën”, është thënë në komunikatë.
Ndër të tjera, AKK ka bërë me dije se mund të ndërmarr masa ndaj ndërmarrjeve që shkelin ligjet.
“Në të njëjtën kohë, sektori i gastronomisë, me theks të veçantë në rritjen e çmimit të kafesë, është po ashtu nën vëzhgim. Inspektorët e Autoritetit janë duke zhvilluar vizita në terren në qytete të ndryshme të Kosovës, duke mbledhur të dhëna dhe informata direkte nga operatorët e tregut. Pas përfundimit të fazës së analizës dhe grumbullimit të informatave, nëse identifikohen shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me kompetencat e tij. Gjithashtu, Autoriteti bazuar në nenin 49, mund të ndërmarrë masa të përkohshme, përmes të cilave fillon procedurën dhe merr vendim për vendosjen e këtyre masave ndaj ndërmarrjeve, kur ekziston rreziku i dëmtimit të pariparueshëm të konkurrencës në treg, veçanërisht kur veprimet e caktuara e çrregullojnë tregun. Me vendimin për masa të përkohshme, Autoriteti urdhëron ndërmarrjen të ndalojë një veprim të caktuar ose të zbatojë masa, kushte dhe afate për të eliminuar efektet e dëmshme në konkurrencën në treg. Masat e përkohshme zgjasin deri në gjashtë (6) muaj. Autoriteti mund të zgjasë kohëzgjatjen e tyre nëse kjo është e domosdoshme”, është thënë në komunikatën për media.