Vlera e kredive të reja të dhëna nga bankat komerciale në Kosovë gjatë vitit 2025 ka arritur në 2.684 miliardë euro, duke shënuar një rritje prej 3.8 për qind krahasuar me vitin 2024, bëjnë të ditur të dhënat e publikuara nga Instituti GAP.
Sipas GAP-it, rritja e kreditimit reflekton vazhdimin e aktivitetit ekonomik dhe kërkesën për financim nga bizneset dhe qytetarët, ndonëse në të njëjtën kohë është shënuar edhe rritje e kostos së huamarrjes.
Norma efektive e interesit për kreditë e reja është rritur nga 6.1 për qind në vitin 2024 në 6.4 për qind në vitin 2025.
Të dhënat historike tregojnë se sektori bankar në Kosovë ka shënuar rritje të vazhdueshme të kreditimit gjatë dekadës së fundit.
Në vitin 2015, vlera e kredive të reja ishte rreth 1.1 miliardë euro, ndërsa deri në vitin 2025 kjo shumë është më shumë se dyfishuar, duke reflektuar zgjerimin e aktivitetit bankar dhe rritjen e kërkesës për financim.
Sa i përket normave të interesit, ato kanë pasur trend zbritës nga viti 2015 deri në vitin 2022, kur kanë arritur nivelin më të ulët rreth 6 për qind.
Megjithatë, gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025 është vërejtur një rritje graduale e normës efektive të interesit, në përputhje me zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare.
Këto zhvillime kanë ndikim të drejtpërdrejtë në koston e financimit për bizneset dhe ekonomitë familjare, ndërsa rritja e kreditimit mbetet një indikator i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik në vend.
Të dhënat e publikuara nga GAP bazohen në statistikat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës dhe pasqyrojnë ecurinë e kreditimit bankar në periudhën 2015–2025.










