Rritet m² i ndërtimit në Prishtinë: Mospërputhje në të hyrat nga lejet e ndërtimit

Prishtina vazhdon të mbetet një nga qytetet më fitimprurëse për biznesin e ndërtimit, me një rritje të dukshme të ndërtimeve të larta, veçanërisht të rrokaqiejve në zonat periferike. Të dhënat zyrtare tregojnë se sipërfaqja e ndërtuar gjatë vitit 2024 është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, duke konfirmuar se trendi i ndërtimeve të mëdha nuk po ngadalësohet, shkruan Demokracia.com.

Kur Përparim Rama, arkitekt me profesion, mori drejtimin e kryeqytetit tri vite më parë, shumëkush priste një qasje të re në planifikimin urban, me më shumë hapësira të gjelbra dhe më pak ndërtime të ngjeshura. Megjithatë, realiteti në terren tregon të kundërtën. Ndërtimi i pandalshëm vazhdon sipas planeve rregulluese të administratave të mëparshme, pa ndonjë qasje të re apo strategji për menaxhimin e hapësirave publike.

Sipas raportit të fundit të Drejtorisë së Financave, të hyrat e arkëtuara nga lejet e ndërtimit për vitin 2024 kanë arritur në 12,342,191.88 euro, një shumë që tejkalon planifikimin fillestar prej 10,735,140.00 euro. Kjo tregon se ndërtimi në Prishtinë jo vetëm që nuk është ngadalësuar, por ka sjellë më shumë të hyra për komunën sesa ishte parashikuar.

Megjithatë, shifrat e publikuara nga Drejtoria e Urbanizmit tregojnë një panoramë tjetër. Sipas kësaj drejtorie, gjatë vitit 2024 janë lëshuar 168 leje ndërtimi, kryesisht për banesa kolektive me afarizëm, duke gjeneruar 9,664,616.65 euro nga taksat e ndërtimit. Kjo krijon një mospërputhje të madhe me të dhënat e Drejtorisë së Financave, duke rezultuar në një diferencë të pashpjeguar prej rreth 2.7 milionë eurosh.

Për më tepër, Drejtoria e Urbanizmit ka shkruar se sipërfaqja totale e ndërtuar gjatë vitit 2024 ka arritur në 948,659.14 m², një rritje e ndjeshme në krahasim me vitin 2023, kur u ndërtuan 847,995.30 m². Kjo do të thotë se në vitin 2024 janë ndërtuar rreth 100,664 m² më shumë se një vit më parë, duke dëshmuar një hov të ri në ndërtimin e lartë në Prishtinë.

Pavarësisht se Përparim Rama erdhi nga Londra me premtimin për një model të ri urban, zhvillimi i kryeqytetit po vazhdon në të njëjtën linjë si më parë, pa ndonjë ndryshim rrënjësor në qasjen ndaj betonizimit. Në vend të inovacionit dhe riorganizimit të hapësirave publike, ndërtimi i lartë vazhdon me ritme të shtuara, shpesh duke u bazuar në planet rregulluese të qeverisjeve të mëparshme.

Duke marrë parasysh shifrat dhe trendin e ndërtimit, Prishtina po shkon drejt një densifikimi të madh urban, me më pak hapësira të gjelbra dhe më shumë ndërtesa shumëkatëshe të ngjeshura pranë njëra-tjetrës.

Në këtë kontekst, mbetet për t’u parë nëse administrata e tanishme do të ndërmarrë hapa konkretë për të frenuar trendin e betonizimit dhe për të ofruar një vizion më të qëndrueshëm për zhvillimin urban të Prishtinës. Përndryshe, kryeqyteti do të vazhdojë të transformohet në një qytet me shumë rrokaqiej dhe gjithnjë e më pak hapësirë të lirë për banorët e tij. /Demokracia.com/