Rritet çmimi i pronave të banimit, statistikat për tremujorin e fundit të 2025

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) për tremujorin e tretë të vitit 2025 sipas të cilit çmimet janë rritur për 2.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Ndërkohë krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025 çmimet e pronave të banimit kanë rënë me 2.1 për qind.

“Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB) në Kosovë u rrit me 2,4 % në tremujorin e tretë (TM3) 2025, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024. Ndërkaq, krahasuar me tremujorin e dytë (TM2) 2025, çmimet e pronave të banimit pësuan rënie prej (- 2,1 %)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

ASK-ja ka publikuar edhe dallimin në rritën e çmimeve në rajonin e Prishtinës krahasuar me rajonet e tjera.

Në rajonet e tjera rritja e çmimeve të pronave të banimit ka qenë më e lartë sesa në rajonin e Prishtinës.

“Në Rajonin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit u rritën për 1,3 % në tremujorin e tretë (TM3) 2025, krahasuar me tremujorin e tretë (TM3) 2024. Për rajonet e tjera të vendit, çmimet e pronave të banimit u rritën për 4,3 % në TM3 2025, krahasuar me TM3 2024”, thuhet në njoftim.