Rreth 149 miliardë lekë janë mbledhur në buxhetin e shtetit për 4 muajt e parë të vitit. Pushteti vendor ka shënuar nivelin më të madh në mbledhjen e të ardhurave, me 2.6 miliardë lekë më shumë se një vit më parë.
Ministria e Financave publikoi treguesit fiskalë për muajin prill 2019, ku rezulton se në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë arkëtuar 5.9 miliardë lekë më shumë se në vitin 2018.
Niveli i realizimit të të ardhurave sipas Ministrisë së Financave është më i lartë këtë vit se vitin e kaluar.
Performancë pozitive ka pasur mbledhja e tatimit mbi fitimin, me rreth 2.3 miliardë lekë më shumë, ku janë arkëtuar rreth 15.3 miliardë lekë, nga 13 miliardë që janë mbledhur vitin e kaluar. Rritje ka pasur edhe tatimi mbi të ardhurat personale, ku janë mbledhur 12.6 miliardë lekë, nga 11.4 miliardë lekë që u mblodhën në mars 2018.
Ndërsa paralelisht janë rimbursuar 5.2 miliardë lekë, apo rreth 1.2 miliardë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë./atsh