Ndërsa çmimet në treg vazhdojnë t’i ndihen çdo familjeje, një tjetër matje ekonomike vjen për të treguar se presioni në fushën e bujqësisë nuk po zbutet. Tregu bujqësor në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme të çmimeve, duke reflektuar një trend që prek të gjithë zinxhirin ushqimor nga ara dhe sera, te ferma dhe fondi i konsumatorëve. Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës flasin për rritje të dukshme në indeksin e përgjithshëm të prodhimeve bujqësore, duke shënuar një tjetër sinjal se kostot në sektorin e ushqimit vazhdojnë të ngjiten, shkruan Demokracia.com.
Ka shënuar rritje indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimeve bujqësore në tremujorin e tretë të vitit 2025, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 8.2 për qind.
“Në TM3 2025, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 9.9 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 3  për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024”, thuhet në raportin e ASK-së.
Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale.
Ndërsa, në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë./Demokracia.com/




 
															






