Nga Mentor Buzhala
Pasuritë e patundshme janë përshkruar si një nga mënyrat më të vjetra të njohura për pastrimin e parave, pasi sipas një raporti të Njësisë së Inteligjencës Financiare është një investim i qëndrueshëm, është funksional dhe konsiderohet gjithashtu si një ofrues i respektueshmërisë, ligjshmërisë dhe normalitetit.
Për më tepër, sipas NJIF-së, e cila mandat parësor ka luftimin dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, transaksionet e pasurive të patundshme mund të përfshijnë shuma të mëdha dhe i nënshtrohen një kontrolli më të kufizuar për pastrim të parave, në krahasim me transaksionet që lidhen me sektorin financiar.
“Blerja e pasurisë së patundshme është një mënyrë e integrimit të parave të zeza në ekonominë e ligjshme”, thuhet në një raport të NJIF-së për tipologjitë e pastrimit të parave të publikuar në vitin 2020.
NJIF renditë disa teknika të integrimit të parave të “zeza” në ekonominë e ligjshme përmes pasurive të patundshme, si skema të turbullta financimi; çmime të mbivlerësuara/nënvlerësuara; kompani, fonde mirëbesimi ose palë të tjera jotransparente.
Pse përdoren patundshmëritë për pastrimin të parave dhe si mund të hetohen?
Ambasada e Britanisë në Kosovë ka luajtur një rol të rëndësishëm në fuqizimin e institucioneve që merren me fenomenin e pastrimit të parave në Kosovë.
Zyra për informim e Ambasadës Britanike në Kosovë duke ju referuar ekspertëve të tyre kundër pastrimit të parave thekson se pasuritë e paluajtshme janë një nga metodat më të vjetra për të lëvizur dhe fshehur fonde të paligjshme, duke përfshirë shtëpitë, ndërtesat dhe tokat, të cilat janë tërheqëse për kriminelët për shkak të vlerës së tyre të qëndrueshme dhe mundësisë për të gjeneruar të ardhura përmes qirave ose shitjes.
Në përgjigjen e tyre ata kanë numëruar arsyet se pse patundshmëritë mund të shfrytëzohen për pastrimin e parave.
“Një nga faktorët kyç është legjislacioni i paqartë në shumë juridiksione përsa i përket pronarëve përfitues të trusteve dhe kompanive offshore, duke lejuar kriminelët të veprojnë nën maskën e këtyre strukturave të fshehura. Kjo i mundëson individëve me qëllime të dyshimta të maskojnë origjinën e fondeve të tyre dhe të ndihmojnë në lëvizjen e pasurive të paluajtshme përmes një labirinti të tillë juridik”, theksohet në përgjigje.
Një aspekt tjetër që përfaqësuesit e Ambasadës theksojnë është rritja e vlerës së pasurive me kalimin e kohës.
“Rritja e çmimit të pronave është një faktor që e bën tërheqës sektorin e pasurive të paluajtshme për pastruesit e parave, pasi përveçse ofrojnë mundësi për krijimin e të ardhurave nga qiraja, ato mund të shiten me fitim” – vazhdon përgjigja e tyre.
Po ashtu, ekspertët britanikë përmes Zyrës për Informim të Ambasadës Britanike në Kosovë kanë thënë se kanë vërejtur që në procesin e pastrimit të parave përmes pasurive të paluajtshme, kriminelët mund të përdorin “palët e treta”, individë të pastruar ose kompani offshore, që veprojnë për të fshehur identitetin e tyre dhe për të ulur mundësinë e hetimit nga autoritetet.
“Në këtë rast, palët e treta mund të jenë individë të pastruar, që veprojnë në emër të kriminelëve, duke fshehur identitetin e tyre dhe për të ulur mundësinë e hetimit nga autoritetet”, sqarohet në përgjigje.
Gjithashtu, një metodë tjetër e zakonshme është manipulimi i çmimeve të pasurive të paluajtshme përmes nënvlerësimit ose mbivlerësimit të tyre.
“Kur një pasuri blihet më pak se çmimi i tregut, ose më shumë, ndihmon në fshehjen e parave të paligjshme dhe mundëson pastrimin e tyre”, përfundon përgjigja e ekspertëve britanikë përmes Zyrës për Informim të Ambasadës Britanik në Kosovë.
Në përgjigjen e tyre ata kanë thënë edhe disa opsione se si mund të hetohen dyshimet për pastrim të parave përmes pasurive të paluajtshme.
Fillimisht ata kanë përmendur vëzhgimin e transaksioneve të pasurive të paluajtshme.
“Transaksionet që duket se janë bërë me çmime të çuditshme ose që kalojnë përmes shumë palëve të ndryshme mund të jenë një shenjë e pastrimit të parave”.
Më pas ata kanë renditur verifikimin e pronarëve dhe burimeve të financimit.
“Hetimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme dhe burimeve të fondeve të tyre mund të zbulojë pasuritë e fshehura dhe mundësinë e pastrimit të parave”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ekspertët britanikë kanë theksuar rëndësinë e përdorimit të “teknologjive të avancuara” për të ndihmuar në hetimin e pasurive të paluajtshme dhe në identifikimin e strukturave të fshehura që mund të përdoren për të maskuar origjinën e fondeve të paligjshme.
Po ashtu, sipas tyre, për të zbuluar pasuritë e fshehura, “është e nevojshme të ketë bashkëpunim ndërkombëtar midis autoriteteve të ndryshme për të siguruar prova dhe për të mundësuar hetimin e plotë”.
Sa biznese të patundshmërive janë në Kosovë?
Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) e cila bie nën kompetencën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), janë të regjistruara 1,333 biznese aktive të patundshmërive, 696 pasive dhe 139 të shuara, duke e çuar numrin total në 2,168. Ndërsa vetëm në tri vitet e fundit, 594 kompani të reja në këtë sektor janë regjistruar në ARBK.
Nga Zyra për Informim e MINT kanë thënë se “nuk kanë mandat inspektues për të kontrolluar aktivitetin real të bizneseve” pas regjistrimit. Po ashtu, se “nuk ekziston një mekanizëm i posaçëm për monitorimin e aktiviteteve të bizneseve të regjistruara”, pasi kjo bie në kompetencën e institucioneve të tjera.
Sipas MINT, regjistrimi i bizneseve në sektorin e patundshmërive “nuk kërkon verifikim shtesë përveç dokumentacionit standard”, dhe ARBK nuk kërkon dëshmi mbi origjinën e kapitalit të deklaruar. Megjithatë, MINT thekson se ndryshimet ligjore në proces pritet të përfshijnë detyrimin për të dëshmuar burimin e kapitalit të regjistruar.
Në lidhje me luftën kundër pastrimit të parave, nga MINT bëjnë të qartë se nuk kanë kompetenca hetimore apo ndëshkuese, por ofrojnë të dhëna për institucionet përkatëse si Njësia e Inteligjencës Financiare e Kosovës dhe Policia e Kosovës. Ndërsa në rastet kur një kompani e regjistruar është nën hetim për pastrim parash, ARBK vepron vetëm nëse ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë, që kërkon masa specifike ndaj subjektit të regjistruar.
Sa i përket ndërgjegjësimit të bizneseve, MINT thekson se ofron informacione mbi procedurat e regjistrimit dhe detyrimet ligjore në faqen e saj zyrtare, si dhe bashkëpunon me institucionet përkatëse për informimin mbi rregullat kundër pastrimit të parave.
Në aspektin e bashkëpunimit me bankat dhe institucionet financiare, ministria konfirmon se ofron të dhëna mbi statusin dhe dokumentacionin e bizneseve të regjistruara, por nuk luan një rol aktiv në verifikimin e transaksioneve financiare apo parandalimin e aktiviteteve të dyshimta.
Si i kryen Administrata Tatimore e Kosovës kontrollet mbi bizneset e patundshmërive?
Sipas Administratës Tatimore të Kosovës, kontrollet mbi bizneset e patundshmërive kryhen bazuar në analizën e riskut ose informatave të pranuara nga institucionet e tjera apo përmes denoncuesve në këtë LINK.
Ata kanë thënë se ka raste kur nga Prokuroria Speciale pranojnë kërkesa për grumbullimin e informatave apo autorizime për hetimin e veprës penale shmangie nga tatimi të ndërlidhur me veprën penale shpëlarje të parave.
“ATK tek të gjitha bizneset, pavarësisht veprimtarive të tyre, me rastin e kontrollave, bën verifikimin e dokumentacioneve kontabël si dhe informatave të tjera që sigurohen nga palët e treta, duke përfshirë edhe transaksionet bankare të biznesit dhe personave përgjegjës të tij”, thotë Valentina Bytyqi-Sefa, udhëheqëse e divizionit për komunikim me media në ATK.
Nga ky institucion kanë thënë se përdorin vegla analitike të cilat e ndihmojnë në gjenerimin e rasteve të dyshimta, pastaj, sipas memorandumeve të bashkëpunimit, i shpërndajnë këto raporte tek organet e zbatimit të ligjit.
Hetimi i pastrimit të parave si vepër penale është kompetencë e Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe, për rastet kur dyshimet për veprën e shpëlarjes së parave janë deri në 500,000 euro, sipas ATK-së janë në kompetenca të prokurorive themelore përkatëse.
Cilët janë indikatorët kryesorë të pastrimit të parave përmes pasurive të paluajtshme?
Nëse pranojnë një informacion të mundshëm për pastrim të parave, nga Policia e Kosovës kanë thënë se bëjnë analiza financiare qoftë të personave fizikë, bizneseve të patundshmërive, të ndërtimit, mbledhin informata nga Agjencioni i Regjistrit Civil rreth pronave të luajtshme, nga Agjencioni Kadastral rreth pronave të paluajtshme që ka në posedim personi, subjekti dhe trungu familjar, nga ATK rreth deklarimeve, pagesave dhe borxheve, nga Dogana e Kosovës rreth importeve-eksporteve dhe deklarimin e parave të gatshme nëse ka pasur nga Njësia e Inteligjencës Financiare, nëse ka pasur informata për dyshime me Raport të Transaksioneve të Dyshimta nga institucionet financiare.
“Pas grumbullimit të informatave të cekura me lart bëhet analizë për të gjitha gjetjet, analizë financiare dhe intervista të ndryshme, më pas në bazë të gjetjeve rasti i referohet Prokurorisë gjithsesi por nëse kemi dyshim dhe dëshmi se është kryer vepra penale në konsultim me prokurorin”, theksohet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, disa nga indikatorët kryesorë të pastrimit të parave përmes pasurive të paluajtshme janë transaksionet bankare me vlera të dyshimta, blerjet me çmime dukshëm më të ulëta ose më të larta se vlera e tregut, deponimet e konsiderueshme në para të gatshme dhe tjetërsimi i pasurive përmes investimeve në kriptovaluta apo blerjeve të sendeve me vlerë.
Policia e Kosovës, përmes Njësisë Kundër Pastrimit të Parave, ka trajtuar disa raste të dyshuara për pastrim parash përmes sektorit të patundshmërive.
“Policia identifikon rastet e mundshme përmes informatave inteligjente, burimeve operative, denoncimeve nga qytetarët dhe informacioneve nga sinjalizuesit”, thekson Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.
Një nga rastet e hetuara përfshin dis persona të ndryshëm në Kosovë, të cilët kanë pranuar para me vlera të ndryshme nga shtete të ndryshme kryesisht nga Lindja e Mesme përmes një institucioni mikrofinanciar në Kosovë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale, Policia e Kosovës ka identifikuar pranuesit e mjeteve që kanë qenë me dhjetëra dhe kanë gjetur se tre prej tyre janë organizatorët ndërsa personat e tjerë janë angazhuar për të pranuar këto mjete në emrin e tyre kundrejt një përqindje të vogël. Të njëjtit pasi i pranonin paratë e ndalonin përqindjen sipas marrëveshjes ndërsa pjesën tjetër e dorëzonin tek organizatorët.
“Të gjithë personat janë intervistuar ndërsa organizatorët janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve të cilët kanë deklaruar se mjetet i kanë tërhequr për një shtetas të huaj e qe vlera e mjeteve te pranuara ka qenë qindra mijëra euro dhe ja ka dorëzuar atij personi”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Përmes bashkëpunimit ndërkombëtar Policia e Kosovës ka kërkuar infirmata për pranuesin e mjeteve.
“Mirëpo nuk kemi pranuar informatat e kërkuara dhe kemi ngritur Kallëzim penal kundër tre personave në PSRK”-përfundon përgjigja e Policisë së Kosovës.
Në Kosovë, lufta kundër pastrimit të parave bëhet nga disa institucione dhe në mënyra të ndryshme. Këtu përfshihet Njësia e Inteligjencës Financiare (NJIF) që operon në kuadër të Ministrisë së Financave, Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Dogana e Kosovës dhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK), që ndër të tjera bën rregullimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve financiare në Kosovë.
Në tetor të vitit 2024, me mbështjetjen e Britanisë së Madhe, është themeluar Rrjeti i Përbashkët i Inteligjencës Kundër Pastrimit të Parave të Kosovës (JMLINK), një mekanizim për të hetuar, parandaluar dhe luftuar pastrimin e parave, krimin e organizuar, korrupsionin dhe financimin e terrorizmit.