“Rrezikojmë mbylljen”, bizneset e mëdha paralajmërojnë vazhdimin e protestave

Më 1 qershor 2025 hyri në fuqi vendimi për kalimin e detyrueshëm të bizneseve të mëdha në tregun e lirë të energjisë elektrike në Kosovë.

Ky ndryshim, i promovuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), synon të nxisë konkurrencën dhe transparencën në sektorin energjetik, por është pritur me shqetësim nga shumë ndërmarrje të mëdha dhe të mesme.

Mungesa e furnizuesve të certifikuar, frika nga rritja e çmimeve dhe mungesa e përgatitjes institucionale janë ndër arsyet që çuan në protesta të ashpra në fund të muajit maj, përfshirë bllokimin e hyrjeve kryesore të Prishtinës nga automjete të tonazhit të rëndë.

Megjithatë, pavarësisht këtyre reagimeve, vendimi tashmë është zbatuar, duke hapur një kapitull të ri dhe të pasigurt për sektorin privat dhe ekonominë e vendit në tërësi.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka deklaruar për FrontOnline se do të vazhdohet me protesta pas hyrjes në fuqi të vendimit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve të mëdha në tregun e lirë të energjisë nga 1 qershori. Ai deklaron se ky nuk është më treg i lirë, por “treg i shtrenjtë”, ku bizneset po përballen me çmime të papërballueshme të energjisë elektrike.

‘’Protestat janë të pashmangshme, ne sot do të takohemi me këshillin organizativ dhe do të merret vendimi për hapat e mëtutjeshëm sepse tashmë vendimi I tregut të lirë mund të thuhet që është vendim I tregut të shtrenjtë’’, tha Shahini për FrontOnline.

Sipas Shahinit, tashmë janë parë efektet e para negative të këtij vendimi – një kompani në Ferizaj ka nisur uljen e numrit të punëtorëve dhe po shqyrton mundësinë për të mbyllur fabrikën ose për të bërë shkurtime të mëtejshme.

‘’Rezultatet e para tashmë të këtij vendimi janë pa ku një kompani nga Ferizaj ka ulur numrin e punëtorëve dhe është duke shqyrtuar se sit ë veprojë a të mbyllë fabrikën apo do të reduktojë punëtorët’’, deklaroi kryetari i AKB-së.

Ramiz Kelmendi, drejtori i Elkos Group, ka konfirmuar pjesëmarrjen e kompanisë së tij në protestën e bizneseve kundër kalimit të detyrueshëm në tregun e lirë të energjisë elektrike. Sipas tij, pavarësisht angazhimit të bizneseve, protestuesit janë përballur me pengesa nga institucionet e rendit, të cilat kanë kërkuar që numri i automjeteve pjesëmarrëse të reduktohej për shkak të bllokimit të qarkullimit rrugor në një gjatësi prej 20 kilometrash.

‘’Ne kemi marrë pjesë në protestë edhe pse sipas kolegëve jemi penguar nga institucionet e rendit për arsye se makinat tona kanë zënë rrugën 20km gjatësi dhe e pengonte qarkullimin’’, tha Kelmendi

Kelmendi gjithashtu tha se iu është rekomanduar që protestat të organizohen me më pak mjete

‘’ Na kanë rekomanduar të protestojmë me numër më të vogël të makinave protestat’’, deklaroi Kelmendi.

Ai sqaroi se qëllimi i protestës nuk është përfitimi personal apo i ndonjë grupi të caktuar, por mbrojtja e vendeve të punës dhe stabilitetit të ekonomisë.

‘’Protestat duhet të mbahen, të jenë sensibilizuese dhe të njoftojnë opinionin se protesta nuk po bëhet për përfitime të njerëzve, por për ruajtjen e vendeve të punës dhe ekonomisë’’, përfundoi Kelmendi

Bedri Kasumi, pronar i kompanisë “Vipa Chips”, ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestën e fundit të bizneseve dhe ka paralajmëruar vazhdimin e tyre, derisa të krijohen kushtet reale për një treg të lirë të energjisë.

‘’Kemi marrë pjesë në protestën e bizneseve dhe do të vazhdojmë me protesta derisa të krijohen kushtet për treg të lirë’’, tha Kasumi

Ai thekson se, ndonëse po quhet “treg i lirë”, në realitet është ‘’monopol’’, pasi ekziston vetëm një furnizues. Kasumi shton se për aq kohë sa është kjo gjendje do të vazhdohet me protesta

‘’Po i thuhet treg i lirë, por është monopol. Është vetëm një furnizues, nuk jemi në pozitë të mirë dhe normalisht do të vazhdojmë me protesta’’, tha Kasumi.

Përfaqësues të “Qumështorja Drena” kanë njoftuar se ende nuk kanë marrë faturat e reja për energjinë në kuadër të tregut të lirë, megjithatë janë të vetëdijshëm që ky kalim do të ketë ndikim të konsiderueshëm në biznesin e tyre.

‘’Ende nuk kanë ardhur faturat e reja për treg të hapur por normalisht që do të ketë ndikim ky kalim në treg të lirë’’, deklaruan nga ky biznes.