Në Rusi ka vdekur një përfaqësues i industrisë serbe të armatimit.
Nga zyra e tij janë zhdukur dokumente dhe pajisje për ruajtjen e të dhënave, por autoritetet e Moskës heshtin.
Beogradi kërkon sqarime – dhe supozimet mbi këtë rast po vlojnë, shkruan gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”.
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për helm në çaj, të shtëna në rrugë apo rënie nga dritarja: vdekja e menaxherëve dhe opozitarëve rusë ndjek një rutinë mizore.
Vitet e fundit, karrierat e shumë kritikëve të Kremlinit përfunduan pas aksidenteve të supozuara ose vetëvrasjeve të papritura, prapaskenat e të cilave kryesisht mbetën në errësirë.
Tani, kjo kronikë e zymtë është pasuruar me një episod tjetër.
Radomir Kurtiq, tregtar serb armësh, vdiq në mes të nëntorit në mes të një rruge në Moskë.
Rasti u bë i ditur javën që shkoi, njofton gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”.
Rrethanat e vdekjes së tij mbeten të pasqaruara deri më sot, ndërsa thashethemet po vlojnë.
Kurtiq drejtonte përfaqësinë në Moskë të kompanisë shtetërore serbe të armatimit, Jugoimport-SDPR.
Bie në sy fakt se lajmi u përhap fillimisht nga mediat e afërta me qeverinë në Serbi.
Ato flasin për një rast vdekjeje të dyshimtë dhe raportojnë se shërbimet sekrete serbe kanë informuar tashmë presidentin Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq deklaroi për televizionin shtetëror RTS se disponon më shumë informacione sesa janë bërë publike deri më tani.
Njëkohësisht, autokrati serb theksoi se nuk dëshiron të marrë pjesë në “përhapjen e dyshimeve dhe teorive konspirative”.
Si Vuçiq, ashtu edhe mediat e Beogradit konfirmuan se një komision hetimor i Jugoimport-SDPR ka inspektuar zyrën e Kurtiqit në Moskë.
Gjatë këtij inspektimi është konstatuar se mungonin dosje dhe pajisje për ruajtjen e të dhënave të kompujterit.
Autoritetet serbe janë veçanërisht të irrituara nga heshtja e palës ruse; deri më tani nuk është dërguar asnjë raport mjeko-ligjor. Kjo rezervë alarmon jo vetëm udhëheqjen politike në Beograd.
Eksperti serb i sigurisë, Nikola Luniq, u shpreh për gazetën “Blic” të Beogradit se bëhet fjalë për një “mesazh brutal politik” të Moskës drejtuar Serbisë.
Në pranverë, shërbimi i inteligjencës së jashtme ruse (SVR) kishte akuzuar të paktën shtatë kompani serbe të armatimit – përfshirë mbi të gjitha Jugoimport-SDPR – se kanë furnizuar Ukrainën me armë dhe municione përmes shteteve të treta në Evropën Perëndimore.
Forcat e armatosura ukrainase duket se kanë marrë qindra mijëra predha dhe miliona fishekë të prodhimit serb që nga sulmi i madh rus në vitin 2022.
Udhëheqja e SVR-së, pasardhëse e KGB-së sovjetike, e akuzoi Serbinë për një “goditje pas shpine”.
Dëshira e prodhuesve serbë të armëve për t’u pasuruar me gjakun e “popujve vëllezër sllavë” i kishte bërë ata të harronin se cilët ishin miqtë e tyre të vërtetë – ky ishte mesazhi nga Moska.
Sipas një raporti të “Financial Times”, Serbia ka përfituar rreth 800 milionë euro vetëm nga dërgesat e armëve për Ukrainën.
Pas kritikave të ashpra nga Moska, Vuçiq bëri një kthesë më 23 qershor dhe deklaroi se Serbia kishte ndaluar të gjitha eksportet e armëve.
Por hulumtimet e rrjetit investigativ ballkanik BIRN si dhe të gazetës izraelite “Haaretz” paraqesin një tablo tjetër.
Sipas raporteve, po atë ditë një aeroplan transporti Boeing-747 u ul në Beograd, për t’u nisur 24 orë më vonë drejt bazës ajrore izraelite Nevatim.
I pyetur se çfarë ngarkese kishte në bord, Vuçiq u përgjigj: “As në ëndërr nuk më shkon ndërmend të tregoj se çfarë është nisur apo çfarë është ulur atje”.
Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, Serbia dërgoi municione në vlerë prej 55,5 milionë eurosh në Izrael; vitin e kaluar vlera ishte 47,9 milionë euro. Që nga viti 2020, eksportet serbe të armëve janë katërfishuar.
Ndër blerësit më të mëdhenj bëjnë pjesë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Qiproja dhe SHBA-ja.
Paralelisht me këtë, Serbia investon më shumë në forcat e saj të armatosura se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor.
Sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkimin e Paqes (SIPRI), midis viteve 2020 dhe 2024 Serbia e bleu pjesën më të madhe të armëve nga Kina, e ndjekur nga Rusia dhe Franca.
Radomir Kurtiq, i cili vdiq në Moskë, ishte ndër të tjerash përgjegjës për blerjen e armëve ruse për forcat e armatosura serbe, shkruan gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”.













