Rreth një muaj para zgjedhjeve, anulohet tenderi 230 mijë eurosh për shërbimet postare për votimin jashtë Kosovës

Rreth një muaj para zgjedhjeve, tenderi 230 mijë eurosh i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shërbime postare për votimin jashtë Kosovës, është anuluar.

Si arsye e anulimit të këtij aktiviteti të prokurorimit është thënë se të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues.

Sipas dosjes së tenderit të publikuar në platformën e-Prokurimi, figuron se për këtë tender ka ofertuar vetëm një kompani “3P SH.P.K”, me çmim 361 mijë e 132 euro, e pas zbritjes 299 mijë e 630 euro, shumë që prapë e tejkalon vlerën e parashikuar të kontratës nga KQZ. Tenderi është anuluar më 5 shtator.

Në njoftimin e publikuar në e-prokurim, përmes këtij aktiviteti të prokurimit, do të bëhej kontraktimit të një kompanie që do të kryej shërbimet postare për dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit që deklarojnë vendqëndrimin jashtë kontinentit të Evropës në mënyrë që fletëvotimet tu arrijnë në kohë.

Shërbime të njëjta ofrohen edhe nga Posta e Kosovës, mirëpo shkaku i kohëzgjatjes së arritjes së dërgesave, është konstatuar se Posta s’mund të kryej shërbimin e tërheqjes së pakove në 22 shtete.

“Duke marrë parasysh që shërbime të njëjta ofrohen nga autoriteti publik Posta e Kosovës, Sekretariati ka mbajtur takime me përfaqësuesit e tyre ku jemi informuar se kohëzgjatja e arritjes së dërgesave në kontinentet jashtë Evropës është afërsisht 2 javë, si dhe Posta e Kosovës nuk mund të kryej shërbimin e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtetet, andaj është i nevojshëm kontraktimi i OE që kanë autorizime ose marrëveshje me kompanitë ndërkombëtare të postave të shpejta (Express) në mënyrë që KQZ të përmbushë obligimet ligjore për operacionin e votimit jashtë Kosovës për zgjedhjet Lokale 2025”, thuhet në dokument.

Shtetet në të cilat hapen kutitë postare përfshijnë: Australinë, Austrinë, Belgjikën, Çekinë, Danimarkën, Francën, Gjermaninë, Holandën, Hungarinë, Italinë, Kanadën, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, ShBA’në, Shqipërinë, Slloveninë, Suedinë, Turqinë dhe Zvicrën.

Ndërkohë, tek lista e shteteve në të cilat mund të dërgohen zarfet me flëtvotime renditen: Andorra, Angola, Arabia Saudite, Armenia, Bahreini, Bangladeshi, Brazili, Çadi, Emiratet e Bashkuara Arabe, Filipinet, Fixhi, Gjeorgjia, Gjibraltari, Guajana, Guajana Franceze, Iraku, Irlanda, Islanda, Izreaeli, Japonia, Kanadaja, Katari, Kazakistani, Kenia, Kina, Kuvajti, Malajzia, Mauritania, Mbretëria e Bashkuar, Mongolia, Nikaragua, Panama, San Marino, Senegali, Sudani i Jugut, Surinami, Tajlanda, Turqia, Ukraina, Xhibuti dhe Zelanda e Re,

Kompania ka përgjegjësinë e transportimit të sigurt të materialeve, përfshirë dërgimin e zarfeve me fletëvotime në adresën e votuesit dhe kthimin e materialeve në lokacionin e përcaktuar nga KQZ, në Kosovë.

“Afatet e dërgimit të dërgesave janë si më poshtë:

-Dërgimi i zarfeve me fletëvotime në adresën e votuesit jashtë Kosovës bëhet në afat brenda 72 orëve.

– Kthimi i materialeve në Kosovë bëhet në afat jo me vonë se 72 orë për dërgesat nga Evropa dhe deri në 96 orë për shtetet e tjera”, thuhet në dosje.

Në dokument thuhet se lista e shteteve se ku do të dërgohen zarfet me fletëvotime do të përcaktohet pas regjistrimit të votuesve.

“Kjo listë mund të pësojë ndryshime – pra, shtetet e përfshira mund të shtohen ose të largohen, varësisht nga të dhënat përfundimtare të regjistrimit. Faturimi, përkatësisht pagesa do të bëhet vetëm për numrin e votuesve të regjistruar përkatësisht të cilëve u dërgohet pako.”

Ndryshe, afati për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim me postë në zgjedhjet lokale ka përfunduar më 29 gusht.

Nga 23 korriku kur është hapur afati e deri në përfundim të tij, KQZ ka pranuar 56 mijë e 778 aplikime.

Prej tyre, janë aprovuar 46 mijë e 15, derisa 10 mijë e 94 janë refuzuar.

Me më së shumti aplikime prijnë mërgimtarët që jetojnë në Gjermani, Zvicër, Austri, Itali dhe Francë. /Reporteri.net