Rreth 50 ushtarë izr*aelitë kanë kryer ve*tëvrasje që nga fillimi i lu*ftës në Ga*zë

Gati 50 ushtarë izraelitë kanë kryer vetëvrasje që nga fillimi i sulmeve izraelite në Rripin e Gazës në tetor të vitit 2023, raportoi të mërkurën e përditshmja izraelite “Haaretz”.

Sipas të dhënave të gazetës, 17 ushtarë kanë kryer vetëvrasje gjatë këtij viti, 24 të tjerë në vitin 2024 dhe 17 në vitin 2023, përfshirë shtatë që pas fillimit të luftës në Gazë.

“Haaretz” thekson se mungesa serioze e specialistëve ushtarakë për shëndetin mendor, si psikiatër, psikologë dhe punonjës socialë është një ndër arsyet kryesore të këtij trendi shqetësues.

Gazeta vë në dukje gjithashtu dështimet sistematike në aftësinë e ushtrisë izraelite për të ofruar mbështetje të duhur psikologjike për ushtarët e liruar nga shërbimi, rezervistët dhe anëtarët e njësive të ekspozuara ndaj traumave të rënda, sidomos ata që janë të angazhuar në identifikimin e mbetjeve mortore të ushtarëve të vrarë.

Po ashtu, sipas burimeve të njëjta, qindra ushtarë me trauma psikologjike dërgohen çdo muaj në rehabilitim ushtarak, dhe shumë prej tyre vuajnë nga PTSD (çrregullimi i stresit post-traumatik) si pasojë e përfshirjes në luftime në Gaza.

Të hënën, ushtria izraelite konfirmoi se një rezervist u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në qytetin Ofakim, në jug të Izraelit, dhe autoritetet ushtarake e cilësuan rastin si vetëvrasje. Ushtari ishte pjesë e një njësie që merrej me identifikimin e trupave të ushtarëve të vrarë.

Të dhënat zyrtare ushtarake tregojnë se që nga fillimi i luftës në Gazë në tetor 2023, kanë humbur jetën 898 ushtarë izraelitë dhe janë plagosur 6.134. Megjithatë, brenda Izraelit janë shtuar akuzat se ushtria po fsheh numrin real të viktimave.

Ndërkohë, Izraeli vazhdon ofensivën brutale ndaj Gazës, ku deri tani kanë humbur jetën mbi 60.100 palestinezë, ndërsa Rripi i Gazës është shkatërruar dhe përballet me mungesë të thellë ushqimi dhe ndihmash bazë.

Të hënën, organizatat izraelite për të drejtat e njeriut B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut – Izrael, akuzuan përsëri autoritetet izraelite për gjenocid, duke theksuar shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe rrënimin e qëllimshëm të sistemit shëndetësor në Gazë.

Kujtojmë se Gjykata Penale Ndërkombëtare ka lëshuar urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë./shenja

The post Rreth 50 ushtarë izr*aelitë kanë kryer ve*tëvrasje që nga fillimi i lu*ftës në Ga*zë appeared first on Kosovapost.net.