Komuna e Ferizajt është më e prekura me koronavirus në Kosovë.
Në Kosovë deri më tani janë identifikuar 510 raste me koronavirus.
Në bazë të të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), vetëm në Komunën e Ferizajt, janë 81 persona të infektuar me koronavirus.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka treguar për lajmi.net, se nga 81 të infektuarit, vetëm katër prej tyre janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së.
Sipas Aliut gjendja shëndetësore e 81 të infektuarve përfshirë edhe ata që janë në Infektivë është stabile.
“Katër raste të cilat janë në Klinikën Infektive unë sapo kam biseduar me njërin prej të prekurve dhe më tregoi që gjendja e të katërve që janë të shtrirë në Klinikë është e mirë dhe stabile dhe sipas tij është gjendje e mirë dhe e qëndrueshme e po ashtu gjitha rastet e tjera unë gjatë gjithë paradites sot kam komunikuar me shumicën prej tyre qoftë familjarë qoftë të prekur me COVID-19 dhe në përgjithësi gjendja e tyre është e mirë”, ka treguar Aliu për lajmi.net.
Tutje ai ka thënë se deri më tani janë identifikuar rreth 400 persona që kanë pasur kontakte me të infektuarit dhe se sot pritet rezultati i 53 mostrave që janë marrë nga IKSHPK-ja.
“Deri më tani kemi identifikuar afërisht 400 kontakte. Ndërsa sot presim të marrim rezultatet nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për 53 mostra të cilat janë marrë sot”, tregoi Aliu për lajmi.net.
Sipas tij, të gjitha këto mostra që sot pritet të dalin rezultatet janë raste të kontakteve me punëtorët e Kampit Bondsteel.
“Janë kryesisht kontakte me punëtorët do me thënë familjarët e tyre që punojnë në Bondsteel”, u shpreh Aliu.
Theksojmë se deri më tani në tërë Kosovën janë 510 të infektuar me koronavirus, ndërkaq 93 persona kanë arritur që të shërohen plotësisht nga COVID-19 mirëpo, 12 persona kanë humbur betejën, pra 12 persona në tërë Kosovën kanë ndërruar jetë nga koronavirusi por që kishin edhe sëmundje të tjera shoqëruese.