25 vjet nga përfundimi i luftës, në Institutin e Mjekësisë Ligjore rreth 280 mbetje mortore mbesin ende të paidentifikuara. Arsyet se pse nuk po dihet indetiteti i tyre janë të ndryshme, derisa numri i të zhdukruve nga forcat serbe mbetet mbi 1600.
26 vjet pas masakrës së Kralanit, 8 familje e kanë marrë lajmin se janë gjetur dhe identifikuar kufomat e familjarëve të tyre, ndërsa edhe për 4 persona procesi i identifikimit është në proces.
Nga masakra ku ushtria dhe policia e Serbisë ekzekutoi 87 civilë shqiptarë, mbi 30 persona nuk janë gjetur kurrë.
Nga lufta e fundit mbi 1600 person ende mbesin të zhdukur.
Ky numër do të ishte shumë më i vogël nëse rreth 280 mbetje mortore do të identifikoheshin.
Ato ndodhen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dhe nuk po mund të identifikohen për disa arsye.
“E para dhe kryesorja është se një numër i madh i trupave pas luftës në Kosovë janë identifikuar pa ADN, në mënyrë tradicionale… kemi edhe raste tjera ku mbetjet mortore janë aq shumë të dëmtuara të djegura të fregmentuara, të copëtuara që nuk mundet me u nxjerrë mostra e ADN-së…”, ka thënë Ditor Haliti – zv/drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Mostrat e ADN-së për të gjitha mbetjet mortore të paidentifikuara i ka Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.
Arsyeja se pse nuk po dihet identiteti i tyre është se familjarët e tyre nuk kanë dhënë gjak prandaj nuk përputhet ADN-ja me askë.
Një çështje që është ngritur së fundi është fakti se pse nuk po kryhet procesi i identifikimit me ADN në vendin dhe nga institucionet tona.
Edhe për këtë çështje jep përgjigje Zëvendës-drejtori i IML-së.
“E në këtë rast të gjiha mostrat e gjakut që janë marrë nga familjet e personave të zhdukur janë dërgu në ICMP, edhe tash ajo e ka databazën e krejt familjeve, të gjakut, edhe në njëfar mënyre ne jemi të obliguar atje sepse do të ishte një ndërmarrje tepër e madhe për neve si shtet që me shku i shqetësu familjet edhe me marr prej të gjitha familjeve mostra të gjakut”, ka shtuar Haliti.
Haliti thotë se njëra ndër zgjidhjet do të ishte një marrëveshje e shtetin tonë me Komisionin Ndërkombëtar, në mënyrë që ata t’i dorëzojnë profilet e mostrave të gjakut, sepse IML i posedon edhe mjetet edhe stafin që ky proces të kryhet në Kosovë.
Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur me procesin e identifikimit të personave të zhdukur në Kosovë ka nisur të merret që nga viti 2002.
Ende në Kosovë vazhdojnë te jënë edhe mbi 1600 persona në listën e të pagjeturve.