Rregullat e reja të BE-së për eksport dhe import i zë “befas” bizneset në Kosovë

Nga data 1 prill të këtij viti, të gjitha bizneset që duan të eksportojnë mallra në Bashkimin Evropian apo të tranzitojnë përmes BE-së, duhet të bëjnë paraprakisht deklarimin përmbledhës të hyrjes (ENS) të mallrave, në të kundërtën pamundësohet tregtimi i tyre.

Nga Dogana e Kosovës thonë se barra kryesore e deklarimit përmbledhës i bie transportuesit, derisa potencojnë se sipas legjislacionit doganor, këtë deklarim mund ta bëjnë edhe importuesi, eksportuesi apo përfaqësuesit e kompanive.

Në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) tregojnë se rregullat e reja të BE-së, kanë shkaktuar paqartësi te disa biznese, raporton KosovaPress.

Ndërkaq, nga Oda Ekonomike e Kosovës, theksojnë se ky vendim nuk do të jetë sfidë për bizneset në aspektin financiar, porse do të jetë një angazhim i shtuar.

Shefi i analizës së riskut në Doganën e Kosovës, Visar Zakuti në një prononcim për KosovaPress, thotë se në janar të këtij viti u njoftuan nga Komisioni Evropian rreth këtyre rregullave të reja. Zakuti tregon se Dogana e Kosovës e ka njoftuar komunitetin e biznesit të transportit, si dhe agjentët doganor lidhur me këto masa të reja.

“Në janar të këtij viti Dogana e Kosovës është njoftuar prej Komisionit Evropian, nga Drejtoria e Përgjithshme për Tatime dhe Union Doganor se nga data 1 prill fillojnë disa rregulla të reja sa i përket sistemit të kontrollit doganor. Nga data 1 prill 2025, të gjitha mallrat të cilat do të tregtohen në unionin evropian apo do të tranzitohen përmes unionin evropian, do të jenë të obligueshme të paraqesin një deklaratë përmbledhëse paraprake, para se ato mallra të tregtohen në territorin doganor të unionit evropian. Me të marrë këtë njoftim, Dogana e Kosovës e ka njoftuar komunitetin e biznesit, gjithashtu komunitetin e transportit, si dhe agjentët doganor lidhur me këto masa të reja”, thotë Zakuti.

Zakuti bënë të ditur se për të kryer Deklaratën Përmbledhëse të Hyrjes (ENS) në sistemin doganor të vendeve anëtare të BE-së, operatorët ekonomikë duhet të jenë të regjistruar në një nga shtetet anëtare të BE-së dhe të pajisen me numrin e identifikimit dhe regjistrimit të operatorëve ekonomikë (EORI Number).

Ai për KosovaPress tregon se ky numër është i domosdoshëm për të identifikuar bizneset në të gjitha procedurat doganore brenda territorit të Bashkimit Evropian.

“Secili që synon të tregtojë mallra në unionin evropian duhet paraprakisht të regjistrohet në sistemet e Bashkimit Evropian. Të furnizohet me një EORI Number, në mënyrë që të bëjë deklarimin e mallrave në fazën paraprake. Të gjitha bizneset që synojnë të tregtojnë apo tranzitojnë mallrat e tyre përmes unionin evropian janë të detyrueshëm që të pajisen me këtë numër në mënyrë që të bëjnë deklarimin e atyre mallrave paraprakisht. Barra kryesore e deklarimit përmbledhës në hyrje i bie transportuesit. Megjithatë, sipas legjislacionit doganor këtë deklarim mund ta bëjë edhe importuesi, eksportuesi apo përfaqësuesit e kompanive siç janë agjentë doganor në këtë rast. Është me rëndësi edhe koha e deklarimit”, tregon Zakuti.

Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK), Kushtrim Ahmeti thotë se pavarësisht që këto masa kanë shkaktuar stres te bizneset, janë në dobi të tyre sepse i bëjnë më serioze karshi institucioneve evropiane.

“Bizneset e kanë pritur pak të befasuar këtë vendim sepse nuk kemi pasur asnjë informacion…Nga ajo që e kemi parë është një vendim i përgjithshëm, i cili prek edhe Kosovën në këtë rast siç i prek edhe shumë vende të tjera. Shumë biznese tona kanë pasur nevojë për më shumë informacione. Fatkeqësisht kanë munguar ato për një kohë të gjatë…Fatkeqësia është vendimin me të gjitha detajet është marrë goxha vonë dhe ka shkaktuar pak stres tek bizneset dhe po shpresoj shumë që do t’ia dalin në këtë aspekt, se është në të mirën edhe të atyre, i bën edhe më serioz bizneset tona karshi vet institucioneve evropiane. Ka qenë e nevojshme që të mbahen më shumë trajnime, më shumë informacion të ofrohej si nga BE-ja në këtë rast, ashtu edhe nga vetë Dogana e Kosovës, që fatkeqësisht ka munguar. Bizneset duhet të përqafojnë këtë vendim sepse, ne duhet t’i plotësojmë të gjitha kushtet e BE-së në mënyrë që të hapim tregun më shumë”, thotë Ahmeti.

Për KosovaPress, Ahmeti tregon se paqartësitë më të mëdha të bizneseve në këtë drejtim janë sa i përket asaj se kush duhet ta bëjë deklarimin e mallrave.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna thotë se këto masa nuk i dëmtojnë bizneset, porse e lehtësojnë qarkullimin e mallit.

“Nuk do të jetë sfidë në kuptimin se nuk do të ketë ndonjë kosto ekstra. Mirëpo, do të ketë më shumë angazhim, do të jetë një angazhim më i shtuar. Por, prapë agjentët doganor janë më të përgatitur dhe nuk kemi asnjë rezervë që nuk mund ta procesojë në mënyrë të drejtë këtë kërkesë të Bashkimit Evropian…Janë duke u përgatitur për ta implementuar, nuk është që varet prej vullnetit të biznesit, Odës Ekonomike apo Doganës. Por, kjo është kërkesë e BE-së dhe ne duhet ta implementojmë. Nuk është në dëm të biznesit, sepse nuk e dëmton biznesin, vetëm e lehtëson qarkullimin e mallit, për shkak të riskut ose nevojave të organeve kompetente të BE-së i kërkojnë paraprakisht informatat që t’i kenë për mallin që eksportohet në BE”, thotë Rafuna.

Rafuna shprehet optimist që kjo do të lehtësojë kalimin e mallrave dhe do të zvogëlojë kohën e pritjes në kufijtë e BE-së, duke ulur kështu kostot për kompanitë që eksportojnë. Ai thekson se kërkesa e adresuar ndaj Komisionit Evropian, synon përmirësimin e situatës për maunat që dalin nga Ballkani Perëndimor.

“Ne shpresojmë që kjo procedurë do ta lehtësojë qarkullimin e mallit se duke qenë kryetar i Odave të Ballkanit Perëndimor ne kemi adresuar një kërkesë të Komisionit Evropian për të na ndihmuar të bëjmë zgjidhje për maunat që eksportojnë prej Kosovës po edhe prej vendeve të Ballkanit që në kufi të BE-së për të mos pritur më shumë se 36 orë. Në kufi me Kroacinë, me Hungarinë po edhe në kufijtë tjerë në BE, maunat ose mallrat që dalin prej Kosovës ose prej vendeve tjera prej Ballkanit Perëndimor presin me kohë shumë të gjatë që ja rrisin koston produkteve tona për të dal në tregun evropian. Pritjet tona janë që kjo procedurë ta lehtësoj pikërisht këtë kalim në mënyrë që ta ulim edhe koston e kompanive që eksportojnë në vendet e BE-së”, shprehet Rafuna për KosovaPress.

KosovaPress ka provuar të merr më shumë detaje rreth këtyre rregullave nga zëdhënësit e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pasur përgjigje.

Deklarata Përmbledhëse e Hyrjes (ENS) është një dokument elektronik që paraqitet te autoritetet doganore të Bashkimit Evropian, përpara se mallrat të mbërrijnë në territorin e BE-së.

Qëllimi i kësaj deklarate është identifikimi i rreziqeve para mbërritjes së mallrave në BE, parandalimi i kontrabandës dhe trafikimit të mallrave të paligjshme, sigurimi i përputhshmërisë me rregulloret e BE-së, rritja e sigurisë së zinxhirit të furnizimit dhe lehtësimi i tregtisë ndërkombëtare.

Koha e deklarimit varion nga llojet e transportit. Për transportin rrugor dhe atë hekurudhor kërkohet që mallrat të deklarohen të paktën një orë para arritjes në territorin e unionit evropian. Ndërsa, për transportin detar në destinacione të gjata duhet 24 orë përpara të bëhet deklarime. Ndërkaq, për transportin ajror është 4 orë për distanca më të gjata./kp/