Rregull i ri në SHBA: Deri në 15 mijë dollarë për vizë turistike apo biznesi

Departamenti i Shtetit të SHBA-së po propozon që aplikantët për viza biznesi dhe turistike të detyrohen të vendosin një garanci deri në 15,000 dollarë për të hyrë në Shtetet e Bashkuara – një masë që mund ta bëjë të papërballueshëm procesin për shumë persona.

Sipas një njoftimi që do të publikohet të martën në Federal Register (Regjistri Zyrtar Federal), departamenti do të nisë një program pilot 12-mujor, sipas të cilit personat nga vende që konsiderohen me shkallë të lartë të qëndrimeve të paligjshme pas skadimit të vizës, apo që kanë mangësi në sigurinë e dokumentacionit të brendshëm, mund të kërkohet të vendosin një garanci prej 5,000, 10,000 ose 15,000 dollarësh kur aplikojnë për vizë.

Ky propozim vjen në kuadër të ashpërsimit të rregullave të emigracionit nga administrata Trump. Javën e kaluar, Departamenti i Shtetit njoftoi se shumë aplikantë për rinovimin e vizave do të duhet të paraqiten për intervistë shtesë personale, një kërkesë që më parë nuk ekzistonte. Po ashtu, po propozohet që aplikantët për programin Visa Diversity Lottery (lotaria për vizat) të kenë pasaportë të vlefshme të vendit të tyre të shtetësisë, raporton AP.

Një version paraprak i njoftimit për garancinë, i postuar në faqen e Federal Register të hënën, thekson se programi pilot do të hyjë në fuqi brenda 15 ditëve pas publikimit zyrtar dhe është i nevojshëm që qeveria amerikane të mos jetë financiarisht përgjegjëse nëse një vizitor nuk respekton kushtet e vizës së tij apo saj.

“Shtetas të huaj që aplikojnë për viza të përkohshme për qëllime biznesi ose turistike, dhe që janë nga vende të identifikuara nga departamenti si vende me normë të lartë të qëndrimit të paligjshëm apo me sistem të dobët kontrolli dhe verifikimi, ose që ofrojnë shtetësi përmes investimeve (nëse është marrë pa kërkesë për qëndrim të përhershëm), mund t’u nënshtrohen këtij programi pilot,” thuhet në njoftim.

Vendet që do të preken nga ky program do të publikohen sapo të hyjë në fuqi. Vendosja e garancisë mund të përjashtohet në varësi të rrethanave individuale të aplikantit.

Kjo kërkesë nuk do të aplikohet për qytetarët e vendeve të përfshira në Programin e Lehtësimit të Vizave (Visa Waiver Program), i cili lejon udhëtimin për qëllime biznesi apo turizmi deri në 90 ditë pa vizë. Shumica e 42 vendeve të përfshira në këtë program janë në Evropë, ndërsa të tjerat në Azi, Lindjen e Mesme dhe rajone të tjera.

The post Rregull i ri në SHBA: Deri në 15 mijë dollarë për vizë turistike apo biznesi appeared first on Kosovapost.net.