“La Masia”, akademia e famshme e Barcelonës, ka prodhuar disa nga lojtarët më të mirë në historinë e futbollit. Aktualisht, emra si Gavi, Lamine Yamal dhe Pau Cubarsí janë dëshmi e kësaj trashëgimie të jashtëzakonshme. Por përveç talentit, jeta në një ambient me shumë të rinj sjell edhe ngjarje të çuditshme e të paharrueshme.
Njëra prej tyre është ajo që ka treguar së fundmi Sergi Gómez, ish-mbrojtës i Espanyol, tani lojtar i lirë, në një intervistë për “Post United”, ku protagonisti kryesor është Mauro Icardi, sot sulmues i Galatasaray.
“Kam një histori me Mauro Icardin, që për mua është më e mira nga të gjitha, – tregon Gomez duke qeshur. – Kur erdhi te ‘La Masia’, ishim shokë për 3 apo 4 sezone. Jetonim në të njëjtin apartament, bashkë me Marc Muniesa dhe Sergi Roberto”.
Gómez rrëfen se një ditë, Icardi e ftoi të dilnin në parkun pranë banesës: “E pashë se kishte marrë një copë druri, të cilin e kishte prerë vetë një ditë më parë, në formë Y. I kishte vendosur një llastik të fortë, të cilin e kishte blerë në një dyqan materialesh ndërtimi. Pra, kishte ndërtuar vetë një palë llastiqe.
Ai më tha: Hajde, do të të tregoj diçka. Pastaj më tregoi një pemë shumë të lartë, ndoshta 20-25 metra. Unë mendova se po fliste për kokrrat e pishës, por ai më tha: Jo, shiko më sipër. Aty ishte një pëllumb që mezi dukej. E mori një gur, tërhoqi llastikun dhe… pëllumbi ra nga lartësia”.
Por historia nuk mbaroi këtu: “I thashë: Çfarë bëre, Mauro?! Ai m’u përgjigj: Eja, kthehemi në ‘La Masia’. Ia hoqi puplat, ia nxori gurët nga gryka, mori një varëse teli, e kaloi përmes trupit të pëllumbit, ndezi një zjarr, e poqi dhe e hëngri përpara meje”.
Sergi Gómez shpërtheu në të qeshura ndërsa e tregonte ngjarjen, por shtoi me dashamirësi: “Mendova: Çfarë më pret këtu përpara? Po, e vrau një pëllumb, e gatoi vetë dhe e hëngri. Jetuam shumë kohë bashkë. E kam për zemër”.
The post Rrëfimi tronditës për Icardi: Vrau një pëllumb me llastiqe guri, e poqi dhe e hëngri përpara meje appeared first on Telesport.