Rrëfimi i jashtëzakonshëm: Si u takuan babë e bir në mal, pa e ditur për njëri-tjetrin që ishin në UÇK

Kujtim Morina, djali i dëshmorit Avdullah Morina, ka rrëfyer historinë e jashtëzakonshme të takimit me babain e tij në mal gjatë luftës, kur edhe e panë për herë të parë njëri-tjetrin të veshur me uniformat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

I ftuar në “DPT te Fidani”, ai tha se i ishte bashkuar UÇK’së, pa dijeninë e babait, ende pa i mbushur 18 vjet.

“Jam shku pa dijeninë e babës. Masi jam vesh ushtar, e kam pa babën. Edhe ai nuk e ka ditë që jam i veshun ushtar., Unë kur kam shku, shokët e tij më kanë marrë menjëherë si e kam tregu emrin e prindit. Njëherë më thanë je shumë I ri, por kur iu tregova emrin e prindit, ata më morën. Nuk hezituan”, ka rrëfyer ai.

Ai tregoi edhe momentin kur u takuan, duke shtuar se babai ia kishte dhënë një flakaresh kur e kishte parë.

“Ish një ofensivë në një fshat të Rahovecit, edhe i kanë thirr njësitin e lumit me iu shku në ndihmë. Kur u ardh ai, u kanë me maskë se hala në fshatin tonë u përdorke maska, edhe kur e ndala unë atë kerrin për me i drejtu kah kanë me shku, ai ka zbrit prej kerrit dhe aty ma ka dhanë një flakaresh, edhe atëherë ka heq maskën edhe ka qajtë e ka thanë qysh s’kom besu që vjen djali jem këtu. As ai se ka ditë që jam unë, as unë se kam ditë që është ai”, ka deklaruar ai.