“Jam shkua në Rahovec, e lypsha mos e kanë lënë nëpër bërllok”, thotë Xhevahire Morina, nëna e Zaim Morinës, të cilin forcat serbe e vranë gjatë masakrës në vend.
Në shënim të 26 vjetorit të vrasjes dhe masakrimit të 106 civilëve në fshatin Pastasellë të komunës së Rahovecit, ajo i rikthehet kujtimeve, duke rrëfyer momentin e fundit kur e pa të birin, fjalët e fundit që i tha dhe boshllëkun e madh që la pas ai.
Ka 26 vjet që jeton me këtë dhembje, me zbrazëtinë që la djali i saj rreth të 20-tave, me kujtimet që nuk zbehen kurrë për të.
Xhevahirja në moshë të shtyrë pran varrit të djalit nuk e di kur dhe si e morën paramilitarët serbë. Nuk pati mundësi ta kërkonte në ato momente. Ditë më vonë, me një shpresë të vogël që ndoshta ishte ende gjallë, ajo shkoi në Rahovec.
“Është larguar prej meje, unë kam dalë me ndejt në ara duke e prit kur po vjen, ai më nuk më ka ardhur, se e ka shkrua Zoti me shkua në këtë rrugë…Ai nalt (një serb) e ka parë, i ka thënë qy edhe një e ke me marrë, qysh e ka shqelmu… E kam pas djalë t’mirë deri në pikë të fundit, por, ndoshta e bëri toka për vete. I shkojke shkolla mirë”, rrëfen ajo.
Në sytë e saj shihet dhimbja e pashpjegueshme, teksa kujton momentin e fundit me Zaimin, një bisedë të thjeshtë, por që do të mbetet përgjithmonë në zemrën e saj.
“Kemi fol jemi kënaq, i thojsha lum nana mos shko andej, shkonte poshtë ka shkolla dhe jo përpjetë. Erdh dhe i ka marrë çizmet dhe i mbathi, lum nëna shko ka shokët e tu ka shkolla e kam pas fjalën e fundit, nuk e ka qel gojën hiq më, veç eci dhe më nuk e kam parë…Se kam parë derisa, jam shkua në Rahovec lypsha mos e kanë lënë nëpër bërllok… më pas e kuptuam”, rrëfen mes tjerash ajo.
Tash, ajo jeton me kujtimin e tij dhe me lutjen që ai të prehet në paqe.
“Lutem (Ishalla) ai në lula të xhenetit, e për të ne të gjallët po e gëzojmë lirinë, dhe duhet falënderuar të gjithë”, tha ajo.
Sot janë bërë 26 vjet nga Masakra në Pastasellë të Komunës së Rahovecit – një nga masakrat më të tmerrshme që kanë bërë forcat kriminale serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Në këtë masakër janë vrarë dhe masakruar 106-persona nga ky fshat dhe fshatrat tjera përreth.
Edhe sot e kësaj dite nga kjo masakër ende ka familjarë që kërkojnë t’i kthehen trupat e më të dashurve të tyre, të cilët figurojnë të pagjetur.
Në këtë masakër përpos vrasjes dhe masakrimit nga forcat serbe, të vrarët më pastaj edhe janë djegur. Në këtë masakër kanë mbijetuar 13 persona.
Për këtë masakër, deri më tani nuk është dënuar asnjë kriminel serb.