Rrëfehet Mancini: Të qëndroj gjithë jetën te Roma? Po, më pëlqen. Rinovimi? Asnjë shqetësim

I ashpër në duele dhe provokues në mesfushë, makthi i shumë sulmuesve të Serie A, Gianluca Mancini është në sezonin e tij të pestë me fanellën e Romës, por këtë herë në stol do të ketë Gian Piero Gasperinin që i jep urdhra.

Megjithatë, qendërmbrojtësi 29-vjeçar nuk e sheh veten si simbol të klubit verdhekuq, siç e shpjegoi në një intervistë për “Corriere dello Sport”: “Ndoshta më shohin si më karizmatikun, por simbol është fjalë e madhe. Kush e di, ndoshta kur të tërhiqem do ta ndiej veten të tillë”.

Megjithatë, nuk ka asnjë dyshim mbi dëshirën për t’u lidhur përgjithmonë me Romën: “Po, absolutisht po. Jam këtu që prej vitit 2019 dhe të bëhesha një ikonë do ishte ëndërr. Të qëndroj gjithë jetën te Roma? Patjetër, më pëlqen”.

Një mënyrë për t’u lidhur edhe me situatën e tij kontraktuale, pasi ish-mbrojtësi i Atalantës ka kontratë deri në vitin 2027: “Nuk i kemi nisur ende bisedimet. Për mua nuk është problem. Nuk kam asnjë lloj shqetësimi”.

Në karrierë ka pasur trajnerë të ndryshëm, nga Fonseca te De Rossi, përpara edhe Mourinhon, e tani Gasperinin, teksa është përshtatur gjithmonë me kërkesa të ndryshme: “Detyra ime është të bëj gjithçka që më kërkohet. Nëse ju do të ishit trajneri im dhe për absurd do më thonit: Gianluca, për ta fituar ndeshjen duhet t’i biesh 5 herë me kokë një peme, unë do ta bëja.

Do të kisha besim tek ju, do t’i respektoja detyrat që më caktoni. Nuk rri të mendoj për gjëra si ‘jam mësuar ndryshe’, ‘më përshtatet më mirë tjetër gjë’. Janë mendime që vetëm të helmojnë mendjen. Kur nuk ndihem i aftë të bëj diçka, përpiqem ta mësoj”.

The post Rrëfehet Mancini: Të qëndroj gjithë jetën te Roma? Po, më pëlqen. Rinovimi? Asnjë shqetësim appeared first on Telesport.