Kryetari i Partisë Familja, Eman Rrahmani, subjekt që aktualisht është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), ka mohuar çdo mundësi të një bashkëpunimi të ardhshëm me Lëvizjen Vetëvendosje. Në një deklaratë për DPT Fidani, Rrahmani tha se një koalicion i tillë është i papranueshëm për të dhe për partinë që drejton.
“Unë nuk jam për një koalicion me Vetëvendosjen dhe nuk do të bëhem pjesë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak se mendoj që është e dëmshme si ideologji dhe se më takon të shpërfaq, të luftoj dhe të angazhohem ditë e natë për t’ia kujtuar popullit ideologjinë dhe ‘sektin’ e tyre. Siç e thashë edhe më herët, ka me qenë problem shumë i madh për vendin”, deklaroi ai.
Rrahmani theksoi se kundërshtimi i tij ndaj Vetëvendosjes nuk lidhet vetëm me dallime programore, por me atë që e cilësoi si një qasje ideologjike të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës. Sipas tij, detyrë e Familja-s dhe e partnerëve të saj politikë është të ofrojnë një alternativë të qëndrueshme dhe konstruktive për qytetarët.










