Kryetari i SBASHK’ut, Rrahman Jashari ka arritur një tjetër sukses si sindikalist dhe përfaqësues i punëtorëve të arsimit, ai ka siguruar rrogën e 13 për të gjithë punëtorët e arsimit.
Nga viti 2023, të gjithë mësimdhënësit do marrin pagën e 13’të, krejt kjo pasi Qeveria e Kosovë ka arritur sot një marrëveshje me SBASHK’un lidhur me shtesat që kanë kërkuar për shkak të pandemisë dhe kontratës kolektive.
Kështu beri të ditur kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti në një konferencë për media ku tha se me SBAShK-un janë dakorduar edhe për shujtën për mësimdhënësit dhe transportin.
“I kemi dakorduar të gjitha çështjet kolektive, lidhur me mënyrën e funksionimit, saktësimi për kohën e punës, të drejtat e mësimdhënësve. Unë e falënderoj SBAShK-un për gatishmërinë të bisedojmë dhe për të arritur marrëveshje. I kemi saktësuar të gjitha çështjet pa përjashtim. Jemi dakorduar që të japim pagën e 13-të duke filluar nga viti 2023, kemi saktësuar shujtën dhe transportin për mësimdhënësit. Kjo ka implikime Në buxhet. Sot gjatë ditës do të nënshkruhet kjo kontratë pas disa ndërhyrjeve të vogla. Arsimtarëve, për shkak të pandemisë do t’u paguhen dy shtesa në pagë. Unë jam i kënaqur që kemi arritur përmbylljen e negociatave në fushën e arsimit”, tha ai.
Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari, i është gëzuar arritjes së marrëveshjes për nënshkrimin e kontratës kolektive dhe se ky është një lajm i mirë për gjithë arsimtarët.
“Nga e hëna do të kemi një frymë të re në fushën e arsimit dhe do të bëjmë punën tonë edhe me më shumë përgjegjësi”, u shpreh ai.