Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) ka njoftuar se Sistemi i Prokurimit Elektronik ka pësuar probleme teknike gjatë ditës së sotme, duke e bërë të paqasshëm për operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktuese. Në një komunikatë për media, KRPP ka bërë të ditur se për shkak të kësaj ndërprerjeje, do të ndërmerren masa për të mos dëmtuar proceset e prokurimit.
“Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) njofton të gjithë Operatorët Ekonomik dhe Autoritetet Kontraktuese se, për arsye të problemeve teknike, sot më datë 04/03/2025, Sistemi i Prokurimit Elektronik është i paqasshëm nëpërmjet linkut https://e-prokurimi.rks-gov.net,” thuhet në njoftimin e KRPP-së.
Si pasojë, KRPP ka bërë të ditur se “në pajtim me RROUP, paragrafi 33.14, do të ndërmarrë veprimet teknike në sistemin e prokurimit elektronik – duke bërë ndalimin e hapjeve të ofertave për të gjitha aktivitetet e prokurimit me datë të hapjes 04/03/2025 dhe do të obligojë të gjitha AK-të që të veprojnë në pajtim me RROUP, paragrafi 33.14 dhe nënparagrafët përkatës për të bërë zgjatjen e afateve për dorëzimin e ofertave/aplikacioneve për të gjitha aktivitetet e prokurimit me datë të hapjes 04/03/2025.”
Gjithashtu, KRPP ka bërë të ditur se “aplikimi i ndalimit të hapjes së ofertave dhe zgjatjes së afatit për dorëzimin e ofertave/aplikacioneve për aktivitetet e prokurimit me datë të hapjes së ofertave në datat e tjera përveç datës 04/03/2025, do të jetë në varësi të kohëzgjatjes së problemit teknik.”
Në komunikatë theksohet se, nëse problemi teknik vazhdon, mund të ketë ndikim edhe në afatet kohore për ankesa dhe rishqyrtime. “Gjithashtu, në varësi të zgjatjes së problemit teknik, do të merret vendim edhe për zgjatjen e afateve kohore që kanë të bëjnë me kërkesa për rishqyrtim, ankesa apo çfarëdo veprimi të ndërlidhur me afate kohore të caktuara.”
KRPP ka siguruar se të gjitha palët e interesuara do të mbahen të informuara përmes ueb-faqes zyrtare krpp.rks-gov.net si dhe rrjeteve sociale të institucionit. /Demokracia.com/